Kombëtarja jonë e futbollit nesër do ketë takimin vendimtar për kualifikueset e Botërorit Katar 2022 në transfertë përballë Hungarisë.

Një ndeshje shumë e vështirë për vetë faktin se edhe hungarezët duan pikë për një vend të dytë të mundshëm, por edhe hakmarrje për humbjen 1-0 që pësuan para 1 muaji në “Elbasan Arena”.

Transfertat nuk kanë qenë kurrë të lehta për kombëtaren tonë e numërohen me gishta fitoret jashtë fushe. Por, 3 janë takimet që kanë mbetur në histori. Fitorja 0-1 në Norvegji për kualifikueset e Botërorit 2014. Vendoset një supergol i ish-sulmuesit legjendar, Hamdi Salihi.

Emocione të tilla do përjetonim pas pak vitesh me një fitore 0-1 në Portugali përballë vendasve. Sërish një shkodran dhe sërish me një supergol. Bekim Balaj i jep triumfin kuqezinjve në tokën luzitane. Fitore që do ishte thelbësore për kualifikimin në Euro 2016 më vonë.

E një fitore në transfertë nuk harrohet sidomos kur është në shifrat 0-3. E pësoi Izraeli nga Shqipëria, ku dopieta e Sadikut dhe Memushaj na jepnin një fitore historike për Ligën e Kombeve. Fitoret e Shqipërisë jashtë fushe janë të ralla, por duket se është momenti për një tjetër triumf historik.

E ku i dihet, vendin e shkodranëve Salihi e Balaj mund ta zërë një tjetër shkodran si Broja, që me golin e tij i dha fitoren në ndeshjen e parë Shqipërisë. Epo na mbetet të shpresojmë që nesër pas 90 minutave të gëzohemi sërish.

Endri ÇINARI