Shqipëria u mund mbrëmë në “Air Albania” në shifrat 0-1 nga Polonia. Një humbje që “djeg” shumë për kombëtaren që tashmë i humbet shpresat për një vend të mundshëm për një Play Off. Botërori është larg, por edhe “afër”. Kjo pasi kjo kombëtare ka të ardhme të ndritur.

Duke filluar tashmë nga ai që mbrëmë mori titullin e “ministrit të mbrotjes”, Marash Kumbulla. Monumental në markimin e sulmuesit më të mirë në Botë, Lewandowski. Ku polaku nuk u shfaq në asnjë moment e Kumbulla do i ketë dalë edhe në ëndërr mbrëmë.

Mesfusha duket se ka liderin e saj. Quhet Keidi Bare. Përplasje, forcë, grintë dhe personalitet, “pitbulli” i kombëtares “kafshon” këdo. E tregoi edhe mbrëmë që performanca e tij është gjithmonë “on top” pavarësisht kundërshtarëve që ka përballë.

E një nga ata tek të cilët gjithë varin shpresat e presin mrekulli sa herë luan është Armando Broja. Djaloshi që na ka dhuruar kaq shumë emocione së fundmi shihet si “superylli” i së ardhmes dhe si ai që do na udhëheq me golat e tij.

Ndoshta Kombëtarja nuk u kualifikua në Botëror, por të nisemi nga këta emra e disa të tjerë si: Gjimshiti, Gjasula, Uzuni që në të ardhmen sërish të shpresojmë. E pse jo ndoshta edhe të kualifikohemi.
Endri ÇINARI