Mauricio Sari e ka cilësuar si të pashpjegueshëm episodin që tensionoi ndeshjen mes Lacios dhe Interit.

Zikaltërit humbën një aksion sulmues me Dimarkon në tokë e pastaj Lacio ktheu menjëherë lojën në anën tjetër me Felipe Anderson i cili gjeti rrjetën për përmbysjen 2-1.

Lojtarët e Interit protestuan pasi kishin kërkuar të ndalnin lojën dhe në fushë u ndez një sherr i mirëfilltë, por trajneri Mauricio Sarri e vlerësoi si të pakuptimtë këtë reagim të zikaltërve.

“Kur Dimarko ra në tokë, topin e kishte Interi, nëse ishte ndokush që duhej të nxirrte topin jashtë, ishin ata. Po nëse do të kishin shënuar ata gol?

Ka pak vend për diskutim, me një lojtar në tokë, gjuajtën në portë, ne vazhduam lojën dhe ka një rregullore të qartë.

Këto skena shihen vetëm në Itali, në Premier Ligë askush nuk të kërkon të nxjerrësh topin jashtë.

Pastaj Felipe Anderson u sulmua. Mua më skualifikuan për sjellje kërcënuese pa ngritur as gishtin, ndaj sot prisja të shihja të fluturonte ndonjë i kuq”, tha trajneri i Lacios.