Kombëtarja u-17 e Shqipërisë ka nisur grumbullimin ditën e sotme në kuadër të raundit të parë të eleminatoreve të Europianit. Skuadra e drejtuar nga Ervin Bulku ka shpallur edhe listën e futbollistëve që do jenë të grumbulluar për 3 ndeshjet eleminatore. Do jenë plot 24 lojtarë nën urdhërat e trajnerit kryeqytetas.

Ajo që bie në sy në këtë listë është se nuk ka asnjë element nga Vllaznia, apo edhe ekipet e tjera shkodrane. Diçka e çuditshme kjo duke qenë se kuqeblutë në vite kanë qenë protagonistë dhe fitues në grup moshat u-17 dhe u-19. Gjithsesi lojtarët me origjinë shkodrane nuk mungojnë tek kuqezinjtë.

Njëri është portieri Tomas Kiri. Djaloshi i rritur tek akademia Vllaznia prej më shumë se 1 viti është pjesë e Shkëndijës së Tiranës. Ai aktivizohet në rolin e portierit. Tjetri është Elton Fikaj. Një mbrojtës me origjinë nga Shkodra, por që aktivizohet me Panathinaikos në Greqi.

Kombëtarja u-17 do qëndrojë e grumbulluar deri të dielën në Shqipëri, ku më pas do udhëtojë drej Irlandës së Veriut.

Përballjet që do zhvillojnë kuqezinjtë do jenë kundër Italisë, Skocisë dhe Irlandës së Veriut. Një grup shumë i fortë ky për u-17 tonë, ku do përpiqen të japin më të mirën për një përfaqësim sa më dinjitoz.
Endri ÇINARI