Ante Aralica është i prirur për të vënë vulën në goleada. E nisi kampionatin me gol ndaj Laçit në fitoren 5-3 në transfertë, ndërsa dje kundër Dinamos në “Loro Boriçi” u rikthye të shënojë në një ndeshje ku sërish pati goleadë. Këtë herë në triumfin 6-3 të Vllaznisë, sulmuesi kroat bëri dopietë, por gjithashtu u bë protagonist edhe në asistet e golave të shënuar nga Fahrudin Gjurgjeviç dhe Zinedin Mustedanagiç.

Në një intervistë për “Panorama Sport” pas ndeshjes me blutë, 25-vjeçari tregon se mund të kishte shënuar edhe më tepër se dy gola. Ai mendon se skuadra ka ende nevojë të përmirësojë shumë gjëra për vazhdimësinë.


Ante, shënuat dy gola ndaj Dinamos. Çfarë ju kënaqi më shumë në këtë takim?

Së pari, jam shumë i lumtur që shënova dhe arritëm të fitonim. Realizova dy gola, por për mënyrën se si erdhi ndeshja, duhet të shënoja edhe më shumë. Mendoj se kam shumë për të përmirësuar.


Nuk mendoni se jeni në formën tuaj maksimale?

Unë dhe gjithë skuadra duhet të bëjmë më tepër për t’u përmirësuar. Çdo ditë dhe çdo javë punojmë me trajnerin për të qenë aty ku duhet. Megjithatë, në fund të ditës ajo që ka më shumë rëndësi është fitorja. Ia dolëm dhe jemi të kënaqur që u rikthyem të marrim tri pikë.


Për aq sa luani me fanellën e Vllaznisë, është kjo ndeshja më e bukur që keni përjetuar në fushë?

Po, mendoj se ky ishte takimi më i bukur i Vllaznisë deri më tani. Nëse mendoni edhe ju gazetarët në këtë mënyrë, atëherë edhe unë po pajtohem me këtë (qesh). Shënuam shumë dhe mundëm një ekip të fortë.


Është në synimet tuaja të fitoni “Këpucën e Artë”?

Do ta shohim ndeshje pas ndeshjeje këtë, tani është herët për të folur.