Liridon Latifi është rikthyer ai i kohëve të arta, kur deri pesë vite më parë shkëlqente me Skënderbeun jo vetëm në kampionatin shqiptar, por edhe në grupet e Ligës së Europës. Sulmuesit të krahut i mungoi vetëm goli në fitoren 6-3 ndaj Dinamos, por gjithsesi ai ishte pa dyshim një prej lojtarëve më të mirë në fushë për të dyja skuadrat.

Dha asistin e golit të tretë të shënuar nga Aralica, por gjithashtu ishte protagonist në golin e dytë të realizuar nga Gjurgjeviç. 27-vjeçari pranon në një intervistë pas ndeshjes me blutë e kryeqytetit se nuk është ende në formën e tij maksimale, edhe pse kontributi në këto pesë javë kampionat me një gol dhe 5 asiste është i pamohueshëm.

Po kthehet me sa duket Latifi i kohës kur luanit te Skënderbeu. E ndieni veten si në ato vite tashmë që jeni pjesë e Vllaznisë?

Ashtu siç kam premtuar kur erdha te Vllaznia, tashmë po kthehem në momentet më të mira të miat, por besoj se do të bëhet edhe më mirë në vazhdimësinë e sezonit.


A mund të themi se tashmë e keni arritur formën tuaj maksimale fizike?

Për t’u treguar i sinqertë mund t’u them që jo. Në 10 minutat e fundit të ndeshjes me Dinamon isha thuajse i mbaruar në fushë. Nuk e kam arritur akoma gjendjen fizike për të qenë 90 minuta në fushë ashtu si unë pretendoj të kem formën maksimale. Megjithatë, shpresoj se ndeshje pas ndeshjeje mund të jem më mirë.

Keni ndonjë objektiv sa u përket shënimit të golave këtë sezon?

Unë nuk kam asnjë objektiv për këtë, sepse zakonisht duhet ta kenë sulmuesit kryesorë. Unë jam një sulmues krahu dhe në këtë drejtim ndihem i qetë.

A e mendoni Vllazninë më të fortë pas këtij takimi spektakolar me Dinamon?

Sigurisht që po. Kjo fitore na forcon shumë dhe jemi më të motivuar për të shikuar përpara.

Cilën skuadër e shikoni si rivale kryesore në luftën për titull?

Po ato që kanë qenë edhe më përpara dhe kanë bërë lojëra të mira. Tirana ka qenë njëra prej tyre që ka bërë lojëra të mira. Besoj se do të jetë një pretendente e fortë deri në fund.

Mund ta shfrytëzoni këtë sezon për të bërë edhe një herë hapin e madh në karrierë?

Normalisht që po. Për këtë arsye kam bërë një hap prapa, pra për të arritur formën më të mirë dhe të rikap majat.