“Santiago Bernabeu” do të jetë fjala e fundit e teknologjisë. Reali i Madridit ka investuar plot 525 milionë euro për të ndërtuar stadiumin e shekullit të 21-të, që vjen me një sërë risish.

Stadiumi i ri do të ketë një çati dhe fushë të lëvizshme dhe do të shërbejë si një qendër multifunksionale.Projekti i ri i është detajuar me aq kujdes nga inxhinierët dhe arkitektët saqë ka tërhequr vëmendjen e të gjithë të apsionuarve pas futbollit dhe jo vetëm.

Klubi madrilen synon që në këtë impiant të ri dhe modern të mos luhen vetëm ndeshje futbolli, por duke shfrytëzuar fushën e lëvizshme të krijohet ambienti i përshtatshëm edhe për koncertë, ndeshje tenisi e basketbolli. Baret brenda stadiumit do të funksionojnë para, gjatë dhe pas ndeshjes, ku të pranishmëve do t’u ofrohet mundësia të porosisin ushqim ose pije nga vendi i tyre përmes një aplikacioni.

Stadiumi do të ketë pesë restorante me pamje nga fusha e lojës, të cilat do të jenë në shërbim çdo javë, duke përfshirë edhe ditët e ndeshjeve, ndërsa do të ketë edhe një Sky Bar spektakolar, në mes të një restoranti dhe një bari koktej.

Madje është projektuar edhe zhvillimi i dy takimeve në të njëjtën kohë. “Santiago Bernabeu” do të jetë dora e pastër e teknologjisë që në përurimin që do të vijë në shtator të vitit të ardhshëm, do të përligji gjithë paratë e shpenzuara.