Liverpuli ka marrë një lajm të keq në lidhje me Roberto Firminon. Sulmuesi brazilian, i cili pësoi një tërheqje muskulore në ndeshjen kundër Atletikos të mërkurën në Champions, do të qëndrojë të paktën për një muaj larg fushe.

Lajmin e konfirmoi trajneri Jyrgen Klop gjatë konferencës për shtyp, në vigjilje të ndeshjes me Uest Hemin ditën e nesërme. “Nga Bobi nuk kemi lajme të mira, ka një tërheqje muskulore serioze dhe është me të vërtetë një fatkeqësi.

Nuk e dimë me saktësi sesa do të mungojë, por nuk do të rikthehet direkt pas pushimit të kombëtareve. Humbja e tij është një goditje e rëndë. Bëhet fjalë për më shumë se 4 javë mungesë, është një dëmtim serioz.

Por ai është një lojtar i cili mund të rikuperohet më shpejtë”, tha tekniku gjerman. Ai konfirmoi gjithashtu se Nabi Keita, Xhejms Milner, Kërtis Xhons dhe Xho Gomez do të mungojnë gjithashtu në transfertën e së dielës me Uest Hemin.

Ai shpreson që Milner dhe Keita do të mund të rikthehen pas kombëtareve. Megjithatë, pozitive është se Liverpulit i janë rikthyer në mesfushë gjatë mesjavës Tiago Alkantara dhe Fabinjo. “Kjo është shumë e rëndësishme. Tani ata janë që të dy gati”, përfundoi Klop.