Flamurtari kërkon fitoren e 4-t radhazi. Vlonjatët udhëtojnë për pikët e plota në Patos, atje ku i pret Albpetroli. Trajneri vlerëson kundërshtarin, por nuk i trembet. Ai evidenton se misioni që kanë është më i fortë se gjithçka.

“E kemi vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje. Albpetroli është një ekip që ka treguar se shprehet mirë dhe jo më kot është vetëm 2 pikë pas nesh. Kanë lojtarë që e njohin mirë njëritjetrin, pasi u bë kohë që luajnë bashkë. Megjithatë, objektivi ynë dihet.

Në çdo fushë hyjmë të fitojmë. Kështu që edhe në këtë javë synojmë të marrim pikët e plota dhe blindimin e kreut. Nuk ka asnjë rrugë tjetër. Nëse duam që të arrijmë objektivin që kemi, duhet të vazhdojmë në rrugën e fitoreve.

Të gjithë bashkë duhet që ta çojmë Flamurtarin ku e ka vendin, pavarësisht se transfertat janë të vështira dhe ekipet janë të panjohura për ne pasi me to po takohemi për herë të parë.

Megjithatë, kemi kapacitetet e duhura dhe lojtarë me eksperiencë për t’i bërë ballë çdo kundërshtari dhe situate. Ekipi më pëlqen pasi po prodhon lojë, por edhe po shënon. Jemi kolauduar dhe shikojmë për të ecur përpara dhe për të bërë më të mirën.

Lojtarët i dinë të gjitha detyrat që ata kanë, kështu që do të futemi në fushë me mentalitet fituesi ashtu si edhe deri tani. Vetëm për tri pikë dhe asnjë rezultat tjetër. Shkojmë me respekt për Albpetrolin, por edhe për të dalë fitues”, shprehet fillimisht Resuli.

Komisioni i Disiplinës ka rrëzuar kërkesën e Labërisë, që priste dënimin e Flamurtarit. Trajneri Dritan Resuli ka preferuar ta komentojë shkurt këtë vendim, duke theksuar se kanë respektuar dhe do ta respektojnë gjithnjë rregulloren.

“Komisioni i Disiplinës e shprehu vendimin e tij dhe e keni parë. Lojtarët i kemi aktivizuar konform rregullave, përfshi edhe në ndeshjet ku kishte pretendime. Jemi të fokusuar te gara dhe java e 7- të e kampionatit tani… Fjalën e thanë institucionet”, përfundon Resuli.