Angli-Shqipëri, 12 tetor ora 20:45, mitiku “Wembley”. Tre Luanët përballë shqiponjave, favoritët e grupit kundër skuadrës që në këtë fazë eleminatore ka kaluar pritshmëritë duke realizuar njëkohësisht edhe objektivin minimal, vendin e tretë në një grup të komplikuar.

6 fitore dhe vetëm dy barazime numëron skuadra e Gareth Southgate që kërkon në këtë sfidë biletën direkte për në Katar 2022. Një përballje që për anglezët ka rëndësi jetike por që në letër konsiderohet e lehtë, kjo bazuar edhe në sfidën e marsit ku Shqipëria u dorëzua pa kushte ndaj ekipit ishullor.

“Wembley” me kapacitet 90 mijë vende tashmë nuk ka më asnjë biletë në shitje ndërsa vetëm 4 apo 5 mijë vende janë rezervuar për sektorin kuqezi në pjesën jugore të stadiumit modern. Sipas rrezullores që është në fuqi, në stadium do të lejohet të hyjne njerëzit e vaksinuar ose ata që zotërojnë një test negativ 48 orë përpara sfidës.

Çmimi i biletave në sektorë të ndryshëm varion nga 25 deri në 65 paund, ndërsa masat e sigurisë në stadium do të jenë të rrepta dhe të shtuara krahasuar me sfidën kundër Hungarisë ku tifozët miq por edhe mbështetës të ardhur nga Polonia, pjesëtarë të fraksioneve ekstremiste, shkaktuan kaos brenda dhe jashtë stadiumit.

Sipas mediave britanike, polakët mund të infiltrohen edhe në radhët e mbështetësve të Shqipërisë prandaj niveli i sigurisë do të jetë maksimal. Përtej organizimit, fusha e blertë do të flasë me gjuhën e futbollit pasi llogaritë janë të thjeshta.

Një fitore e mundshme e zyrtarizon Anglinë në vendin e parë të grupit por të besuarit e Edi Rejës, të frymëzuar edhe nga barazimi që Hungaria regjistroi në tetor, shpresojnë të largohen minimalisht me një pikë që do të ishte një arritje historike për kuqezinjtë, tashmë pothuajse të sigurt me vendin e tretë në grup.

Mungesa të rëndësishme në të dyja kampet, por ndryshe nga Reja, Southgate e ka luksin të eksperimentojë me një nga brezat më të talentuar të futbollit anglez. Gjithsesi, në datën 12, fjalën e fundit do ta thotë fusha e lojës dhe Shqipëria sot si asnjëherë tjetër mund të luajë pa presionin e pikëve apo pa kompleksin e hijes së rëndë të fanellës së kombëtares më të vjetër të planetit.