Giorgio Chiellini, mbrojtësi i Juventusit, ka folur për një çështje delikate në futbollin italian.

Racizmi do një zgjidhje dhe kapiteni i bardhezinjve thekson se duhen rregulla dhe ligje, që të zbatohen, si dhe zbulon që e ka telefonuar Koulibaly të Napolit pas ofendimeve që mori në Firence në duelin ndaj Fiorentinës.

“Thuram thotë se edhe lojtarët e bardhë duhet të dëgjohen për racizmin? Sigurisht, ai ka të drejtë. Kam qenë shok skuadre me Thuram dhe e di se si mendon ai. Së fundmi e kam marrë në telefon Koulibaly dhe i thashë se sa i turpëruar ndihem që jam italian dhe toskan për atë që ndodhi në Firence. Duhen gjeste konkrete dhe jam i bindur për këtë.

Gjithashtu është e rëndësishme të jemi pranë shokëve të skuadrës dhe të ekipeve kundërshtare në raste të tillë. Më kujtohet një herë në Sardenjë, kur shoku im i skuadrës, Matuidi, e humbi kontrollin nga vërshëllimet. Është e vështirë.

Besoj se kemi nevojë për rregulla dhe ligje, që të zbatohen më pas. Ne duhet të bëjmë pjesën tonë, por gjithmonë është një pakicë e vogël që nuk sillet si duhet.

Nëse institucionet nuk bëjnë një ndryshim, do të jetë gjithmonë shumë e vështirë. Kemi nevojë për gjeste të forta dhe unë jam gati, sikurse shumë prej nesh”, ka thënë Chiellini për DAZN.