“O Enea Jorgji kur do të ndalosh? Ne nuk kemi harruar…” Ishte ky mesazhi i djeshëm i presidentit të Skënderbeut, Ardjan Takaj, i shoqëruar me një video në “Facebook”, teksa kujtonte ndeshjen e famshme të 20 majit 2017 në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Në atë kohë vendosej titulli kampion, që u fitua nga Kukësi dhe protagonist absolut ishte arbitri nga Elbasani. Mirëpo, katër vite më pas, Jorgji shfaqet sërish si personazh për t’u kujtuar nga korçarët, pasi të dielën ishte arbitër kryesor në TeutaSkënderbeu, 2-2.

Bardhekuqtë pretendojnë për një penallti të mohuar dhe disa raste të tjera gjatë lojës, që sipas tyre, ndikuan direkt në rezultatin e ndeshjes së luajtur në fushën asnjanëse të Kamzës. Por, çfarë mendon vetë Takaj, përtej ironisë në rrjetet sociale…? Kreu i klubit korçar foli dje ekskluzivisht për “Panorama Sport”, për atë që e cilëson skandal në dëm të Skënderbeut. Ai është i bindur se gabimet janë bërë me qëllim.

Zoti Takaj, reagimet e lojtarëve të Skënderbeut pas ndeshjes ndaj Teutës kanë qenë të shumta për gjykimin, ndërsa ju keni thënë se nuk e harroni kollaj Enea Jorgjin, duke publikuar edhe videon e takimit në Kukës katër vite më parë…

Po, natyrisht. Aq më tepër tani që e kemi parë edhe një herë atë që ndodhi në ndeshjen ndaj Teutës. Nëse rishikon me qetësi 90 minutat, është thuajse çdo faull, që nga fillimi i lojës dhe deri në fund, që jepet me tendencë të theksuar kundër Skënderbeut.

Po marr si shembull minutën e 10-të. Vila tërheq prej fanelle Meksin, i fut edhe një shkelm nga mbrapa dhe Jorgji jep faull për Teutën! Që këtu kuptohet çfarë do të ndodhë më pas, sepse janë minutat e para. Sinjali është i qartë nga arbitri: Mos luani kot se do të fitojë kundërshtari…! Le të na mundin, por nuk ka mundësi që gjithë kohës VAR-i të jetë kundër nesh!


I referoheni edhe ndeshjeve të kaluara që jeni kaq i irrituar?

Në Laç prishet VAR-i, pasi jepet penallti kundër nesh. Më pas, bëhet goli dhe rregullohet sistemi. Me Dinamon ndodhi e njëjta histori.


A i keni kërkuar pas ndeshjes një sqarim Jorgjit për rastet ku pretendoni se jeni dëmtuar?

Ku ta gjejmë Jorgjin?! Çfarë t’i bëjmë?! Ky është një turp i madh, sepse që kur nis loja duket qartë se çfarë kërkon të bëjë ai. Për të mos folur për minutat e fundit, ku lojtari ynë, Vrapi, thjesht i vendos dorën Kallakut, pa asnjë lloj intensiteti dhe Jorgji jep faull si e si të afronte Teutën te porta jonë. Këto janë disa raste që na vjen zor të qëndrojmë në tribunë dhe të shikojmë ndeshjen deri në fund. Po na ndodh në çdo ndeshje dhe jemi në pikën ku nëse na gjykojnë drejt, na duket sikur na kanë favorizuar. Duke menduar se ne jemi të dënuar, na shkatërruan këta maskarenj!