Nga shkarkimi i tra jnerit te buxheti, Ersielda Sefa “zbërthen” Lushnjën. U duk i çuditshëm largimi i Ilir Gjylës një ditë pas fitores që mungonte prej 60 ditësh, por ndryshe mendon kryebashkiakja.

Në një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, ajo sqaron se vendimi u mor për dështim të objektivave. Nëse skuadra nuk do të renditej në pesëshen e parë pas fazës së parë, do ta pësonte stafi teknik. Dhe me verdhejeshilët që e mbyllën 2021-shin në vend të vend të 12-të, kjo lëvizje ishte e pashmangshme.

Presidentja e klubit shpjegoi edhe arsyen pse kaloi 40 milionë lekë buxhet për futbollin, si edhe planin për infrastrukturën.

Një ditë pas përfundimit të kampionatit shkarkuat Ilir Gjylën, ndihmësin e tij dhe sekretarin e klubit. Pse ky vendim?
Në nënshkrimin e kontratës, trajnerëve të ekipit të parë u ishte vënë një objektiv, i cili donte të thoshte që ekipi i Lushnjës të renditej në 5 vendet e para. Në rast se kjo nuk do të realizohej gjatë fazës së parë, ndaj tyre do të merreshin masa për shkarkim nga detyra, për performancë dhe rezultate jo të mira.

Rezultati sportiv i Lushnjës ka qenë shumë larg në raport me çfarë keni kërkuar. Pse nuk keni ndërhyrë më parë dhe pritët mbylljen e fazës?

Sepse prishja e kontratës para afateve do të thotë penalitete ligjore dhe financiare ndaj klubit.

Kush do të jetë trajneri i ri?

Jemi në tratativa për të ndërhyrë dhe po përpiqemi që ekipi i Lushnjës të marrë një rezultat sa më të mirë në fazën e dytë.

Nuk ka ndonjë emër konkret?

Jo, nuk kemi emra konkretë. Po shikojmë alternativat dhe në momentin që do ta zyrtarizojmë, do ta bëjmë të ditur.

Le të flasim pak për investimet në infrastrukturë…

Ne jemi një qytet futbolldashës dhe kjo dihet. U përpoqa që të lidhja një bashkëpunim me FSHF-në. E bëra këtë sepse mendova që prioritare ishte që të ndërhynim në infrastrukturë. E filluam me fushën e Plugut.

Ne kemi një bashkëpunim me qeverinë e futbollit dhe ka ardhur lajmi i mirë për një ndërhyrje në tapetin e stadiumit “Roza Haxhiu”.

Gjithashtu, edhe për një rikonstruksion të tri fushave të tjera, që janë pranë stadiumit tonë. Për fat, ne kemi një pozicion gjeografik shumë të mirë për të investuar.

Këto do të shërbejnë për stërvitjen e ekipit të parë, të ekipeve të akademisë. Do të vendosen edhe orare për t’u përdorur nga shoqata sportive dhe qytetarë të Lushnjës, të jenë në dobi të gjithë komunitetit.

Këshilli Bashkiak miratoi buxhetin dhe 3% e këtij fondi kalon te KF Lushnja 1930 sh.a. Mos janë shumë 40 milionë lekë?

Ka dalë ligji për sportin që thotë se duhet filluar me privatizimin. Por, nuk kanë dalë aktet e nevojshme nënligjore, që ne të fillojmë kryerjen e këtij procesi, gjë të cilën do ta shohim gjatë vitit 2022. Pjesë e këtij 40-milionëshi është edhe përfshirja e investimeve në infrastrukturë.

Pra, nuk është e gjitha për t’i dhënë pagesa ekipit të parë, por janë edhe sh.a-ja dhe ndërhyrjet në infrastrukturë.