Dy nga lojtarët më të mirë në botë, Kilian Mbape dhe Robert Levandovski, kanë folur nga Globe Soccer në Dubai për sa i përket Botërorit çdo dy vite dhe duket se të dy lojtarët ndajnë të njëjtin mendim. Ata janë kundër këtij propozimi të dhënë nga FIFA.

Kapiteni i Polonisë shihet si favorit kryesor për të fituar çmimin Globe Soccer këtë vit. Lojtarit iu bë një intervistë, ku u pyet edhe për mendimin e tij për sa i përket Botërorit çdo dy vite. Polaku doli kundër këtij mendimi, teksa u shpreh:

“Ne kemi shumë ndeshje çdo vit, kemi shumë javë të vështira, duke u përgatitur për sezonet. Nëse doni të tregoni diçka të veçantë, duhet të bëni pushime dhe jo vetëm në verë. Nëse ju dëshironi të luani një Botëror çdo dy vjet, koha e karrierës së një lojtari do të shkurtohet, sepse është e pamundur që trupi të mbajë performanca kaq të larta. Ne duhet të pushojmë për të dhënë më të mirën tonë.”

Kjo pyetje iu bë gjithashtu edhe yllit të Francës, Kilian Mbape, i cili kishte të njëjtin mendim me lojtarin e Bajernit. “Ne jemi të lumtur që luajmë, por kur është shumë është shumë. Ne duhet të rikuperojmë, duhet të pushojmë: nëse njerëzit duan emocione, një nivel të lartë konkurrence, atëherë duhet të respektojmë fizikun e lojtarëve” u shpreh 23-vjeçari.