Viti 2021 mund të cilësohet si një rikthim tek suksesi dhe tek trofetë që mungonin prej dekadash tek dy ekipe. Bëhet fjalë për skuadrat e Vllaznisë dhe Teutës, për të cilat viti 2021 ishte viti i trofeve. Si shkodranët ashtu edhe durrsakët fituan trofe që iu mungonin prej shumë e shumë vitesh.

Suksesin më të madh e kishin “djemtë e detit”. Ekipi i drejtuar nga trajneri shkodran, Edi Martini fitoi titullin kampion. Teuta nuk fitonte titullin prej sezonit 1993-94. Pra pas një “thatësire” 27-vjeçare titulli kampion u rikthye në qytetin e Durrësit.

I njëjti diskutim mund të vlejë edhe për Vllazninë. Që pavarësisht se e mbylli sezonin në të njëjtën kuotë pikësh si Teuta, kampionatin e mbylli në vendin e dytë. Por gëzim pas 13 vitesh do kishte edhe për kuqeblutë. Kjo pasi do fitonin kupën në finalen kundër Skënderbeut me rezultatin 1-0. Trofe që mungonte që prej sezonit 2007-08.

Rivaliteti i zjarrtë mes Vllaznisë dhe Teutës për vitin 2021 do kulmonte edhe me Superkupën e Shqipërisë. Trofe të cilin e fituan durrsakët pas suksesit në shifrat 3-0 kundër shkodranëve. Por si në Shkodër ashtu edhe në Durrës gjatë vitit 2021 kishte festë pas shumë vitesh mungesë të trofeve në këto dy qytete.
Endri ÇINARI