Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, duket i bindur se kampionati shqiptar do të ketë konkurrencë edhe në këtë edicion si në atë të kaluarin. Duke folur për “SuperSport” tregoi bindjen e tij se gara do të vazhdonte e fortë deri në fund.

Unë mendoj që edhe edicioni aktual do të shfaqë të njëjtën konkurrencë, ndoshta jo deri në javën e fundit, ndonëse unë uroj që titulli të vendoset vetëm në finish, pasi kështu do të jetë më emocionuese.

“Diferenca mes 8 skuadrave është thuajse e padukshme, por edhe dy të fundit nuk janë larg të tjerave. Është një skemë që dhuron gjithmonë garë të fortë deri në fund dhe vështirë të parashikosh.

Teuta dhe Vllaznia fituan trofetë? Në fakt janë dy klube që kanë kontribute të mëdha në futbollin shqiptar, me Shkodrën që është edhe vendi ku lindi futbolli në Shqipëri. Ka shumë njerëz që e duan futbollin dhe e mbështetin ekipin edhe në momentet më të vështira, ndaj më vjen mirë që u rikthye te trofetë.

Mund të kishte fituar edhe titullin, edhe pse moralisht e bëri këtë, pasi e mbylli me pikë të barabarta me Teutën. Edhe këta të fundit kanë goxha kontribute dhe kanë konkurruar në shumë vite. Kam parë edhe SMS-të e drejtorit sportiv të Partizanit, që i shkruanin presidentit të Teutës se u bëhej qejfi për suksesin e tyre në kampionat. Mendoj se të gjithëve na ka gëzuar suksesi i këtyre dy ekipeve.

Ecuria në Europë e klubeve tona nuk është më një surprizë, pasi turin e parë po e kalojnë thuajse të gjitha, megjithatë këtë verë mendoj se mund të bënim më mirë dhe meritonim më shumë. Edhe shorti nuk ka qenë shumë i favorshëm, pasi u përballëm me kundërshtarë si Anderlecht, Basel, apo edhe Sherif Tiraspol, një klub me buxhet dhe organizim të jashtëzakonshëm.

Megjithatë mendoj se me shtimin e Conference League, synimi i klubeve tona është të marrin pjesë në grupet e këtij kompeticioni, apo edhe të Europa Leagues. E meritojmë diçka të tillë, pasi e kemi bërë më herët me Skënderbeun dhe pse të mos e përsëritim gjithmonë e më shpesh në të ardhmen.

Dikur klubet mendonin vetëm për ekipin e parë, ndërsa tani po organizohen gjithmonë e më mirë, duke kthyer sytë nga akademitë, pasi sidomos skuadrat e Superiores kanë të gjithë akademitë e tyre dhe po punojnë jo pak me të rinjtë. Janë organizuar mirë në marketing dhe shumë aspekte të tjera, por duhet të jemi koshientë që në nivelet inferiore ka ende problematika.

Duhet më shumë bashkëpunim për të hyrë në rrugën e organizimit. Vetëm një transferim si i Muçit është thuajse një buxhet i Tiranës për 6 muaj, ndaj me dy shitje të tilla, ke siguruar buxhetin e kampionatit. Historia nuk ka qenë e tillë, pasi futbollistët shqiptarë duhej të bënin diku një trampolinë.

Tani kanë nisur këto lloj transferimesh, por janë shumë pak. Transferime si ai i Muçit i bëjnë mirë futbollit shqiptar, pasi kthejnë sytë e drejtuesve të klubeve të mëdha europiane, drejt futbollit tonë”, deklaroi presidenti i FSHF-së.