Tashmë që aktiviteti futbollistik në vendin tonë, por edhe shumë shtete të tjera të Europës është pushim, vëmendja kalon tek merkato. Patjetër jashtë zërave dhe thashethemeve që sjell ky muaj nuk mund të qëndrojë as Vllaznia. Së fundmi në media po diskutohet shumë për Mehdi Çobën.

Ekipi i Teutës prej kohësh po shfaq një interes shumë të madh për 21-vjeçarin. Duket se cilësitë e tij pëlqehen shumë nga drejtuesit durrsakë dhe veçanërisht nga trajneri Edi Martini. Por nga ana tjetër edhe Vllaznia me në krye trajneri Brdariç nuk duan të lejojnë largimin e mëngjërashit.

Kjo duket si diçka paradoksale sepse Çoba nuk është se ka marrë shumë minuta në këtë sezon. Ku pavarësisht se sa herë është hedhur në fushë, performanca e tij ka qenë e një niveli shumë pozitiv. Prandaj duke mos u cilësuar si një zgjedhje e parë e trajnerit Brdariç, duke si e pakuptimtë këmbëngulja e tij që një lojtar i tillë të mos lejohet të largohet.

Patjetër që trajneri gjerman e di mirë që në merkaton e dimrit është shumë e vështirë për të gjetur elementë cilësor. Kjo e vërteton edhe merkatoja e sezonit të shkuar tek Vllaznia, ku gjithë afrimet e janarit dolën një dështim.

Prandaj edhe këmbëngulja për të mos lejuar largimin e Çobës në janar është e madhe nga trajneri. Duhet thënë se përveç Teutës, për sulmuesin ka pasur interes edhe nga klube jashtë vendit.
Endri ÇINARI