Merkato e janarit do jetë tema që do shoqërojë gjithë skuadrat në muajin që vjen. Përjashtim nuk bën as Vllaznia që do jetë në kërkim të elementëve cilësor për të përforcuar ekipin. Edhe shkodranët janë vënë në ndjekje të disa lojtarëve që mund të bëhen pjesë e shkodranëve në gjysmën e dytë të sezonit.

Por merkato e dimrit si gjithmonë jep pak mundësi për të afruar lojtarë të një kalibri të lartë. Shembullin perfekt ekipi i drejtuar nga Thomas Brdariç e ka edhe nga merkato e janarit të sezonit të shkuar. Gjithë emrat që u afruan në skuadër dimrin e shkuar rezultuan një dështim total.

Duke nisur nga mesfushorët që u afruan nga kampionati malazez që ishin Kalezić dhe afrikani Nya-Vedji. Apo edhe sy sulmuesit që u afruan me bujë si Avdiaj apo edhe Cisse. Të gjithë këta lojtarë nuk u bënë në asnjë moment protagonistë me shkodranët, duke u larguar në fund të sezonit.

Prandaj ky duhet të jetë një mësim për drejtuesit e Vllaznisë këtë merkato dimërore. Kjo për të bërë ndoshta sa më pak lëvizje dhe lojtarët që mund të afrohen të jenë të aftë të japin një lloj kontributi për Vllazninë dhe objektivat e skuadrës.

Endri ÇINARI