Vllaznia është zhvendosur që ditën e djeshme në Ulqin të Malit të Zi për të zhvilluar një mini fazë përgatitore. Kuqeblutë e drejtuar nga Thomas Brdariç do zhvillojnë 3-4 ditë përgatitje për tu rikthyer më pas në Shkodër. Patjetër një sy nga drejtuesit dhe stafi teknik janë edhe tek merkato. Deri më tani është zyrtarizuar si afrim vetëm Panos.

Por një futbollist që mund të cilësohet si një “blerje” në këtë pjesë të dytë të sezonit është Darko Bulatoviç. Mbrojtësi malazez, i cili aktivizohet si në krahun e majtë ashtu edhe në qendër të repartit defensiv u afrua në merkaton e verës tek shkodranët. Performancat e tij në kupat e Europës lanë një përshtypje shumë pozitive.

Dëmtimi i pësuar në start të kampionatit e la për shumë kohë në “pit-stop” 32-vjeçarin. Ai ka luajtur vetëm 7 minuta që prej rikthimit nga dëmtimi. Ish-futbollisti i Sutjeskes ka zbritur në fushë vetëm kundër Kastriotit, Partizanit dhe Teutës. Kjo edhe për shkak të performancave të mira të titullarëve.

Megjithatë Bulatoviç pritet të jetë një alternativë shumë e rëndësishme për vazhdimin e sezonit. Kthimi në formën optimale nga dëmtimi i rëndë i pësuar në shtator patjetër që është pozitiv dhe shton alternativat për Brdariç që malazezin mund ta cilësojë si një “blerje” në këtë merkato.
Endri ÇINARI