Këtë javë në Shkodër, konkretisht të premten dhe të shtunën, do të zhvillohet edicioni i rradhës i memorialit ndërkombëtar të boksit “Vllaznia 2022”. Tashmë, ekipi i Kombëtares së Shqipërisë, i drejtuar nga trajneri Zef Gjoni, është në përgatitjet e fundit për këtë aktivitet dhe sipas tij, objektivi është që boksierët tanë të marrin medalje, megjithëse do ketë edhe shumë boksierë të mirë pjesëmarrës.

Sipas trajnerit Gjoni në një prononcim për mediat, kjo padyshim që do të jetë edhe mënyra e duhur për të nderuar figurat e shquara të boksit shkodran, për të cilin organizohet ky memorial. Memoriali i sivjetëm që do të zhvillohet këtë javë, do të ketë një pjesëmarrje më të vogël sportistësh, teksa deri më tani janë konfirmuar boksierë nga disa vende të Ballkanit.


Z. Gjoni, javën e ardhshme, memoriali i rradhës “Shkodra Boks 2022”, çfarë presim nga ky memorial?

“Me që vitin e kaluar, memoriali i boksit nuk u bë për problemet e Covidit, sivjet u munduam me forcat tona, me që edhe Bashkia shumë pak ka dhënë fond për këtë punë, tre milion e pak. Duhej të ishte shumë më i madh fondi, megjithatë ne menduam se do të jetë shumë me mungesa, por kohët e fundit na u shtuan edhe Kosova, Bullgaria me ekip të parë, Mali i Zi. Pra, për dy ditë u kompletua gjithë aktiviteti. Besoj se turneu do të jetë i fortë, sepse Bullgaria dihet që është e fortë, së bashku me Malin e Zi. Do të ketë ndeshje shumë të forta.”


Nga boksierët e Kombëtares së Shqipërisë, çfarë presim?

“Nga Tirana ato boksierë që kanë pasur për të ardhur, deri tani nuk kanë ardhur. Nuk dimë gjë për ta. Megjithatë, janë tre boksiera të Vllaznisë, që pretendojnë për medalje. Janë të Vlorës, Durrësi, Kukësi. Janë 4-5 ekipe të Shqipërisë që do vijnë boksierët më të mirë.”


E rëndësishme mbi të gjitha është që do jetë një aktivitet që zhvillohet për shumë vite me rradhë dhe Shkodra po e mban sërish këtë traditë?

“Me thënë të drejtën, ashtu si ka filluar, si ka qenë disa vite më përpara, që nuk kanë ardhur kampionë bote olimpikë, ka qenë fondi diçka më i madh. Pak a shumë, ka rënë njëfije pjesëmarrja për mungesë fondesh. Gjithsesi, ne me sakrifica dhe me sforco, këtë aktivitet po e bëjmë. Këtë rradhë, do të akordoj edhe dy mirënjohje për një emër që i dha boksit të Shkodrës dhe atij shqiptar, Liman Kulla, që është ndarë nga jeta. Do t’i japë dy mirënjohje federata dhe një Sport Klub Vllaznia.”


E rëndësishme që nderohen figurat, një traditë që nuk harrohet në Shkodër?

“Po, në Shkodër nuk po harrohen dhe nuk do të harrohen. Ne do t’i ruajmë në memoriet tona. Ishalla, vitin e ardhshëm do ta bëjmë edhe më të fuqishme dhe më të madhe këtë pjesëmarrje.”
Maringlen ZHIVANI