Mirel Josa nuk është më trajner i Laçit. Me sa duket në klubin kurbinas e kanë ngritur aq shumë “stekën”, saqë nuk u mjafton vendi i dytë pas tri fazave kampionat, si dhe të qenit një hap larg kualifikimit në finalen e Kupës së Shqipërisë.

Menjëherë pas stërvitjes së djeshme të kurbinasve, drejtuesit e klubit bardhezi kanë vendosur shkarkimin e trajnerit 58-vjeçar.

“Panorama Sport” mëson se lajmi i është komunikuar Josës përmes telefonit pak minuta pasi skuadra kishte mbyllur përgatitjet në kuadër të ndeshjes së radhës me Vllazninë për kampionat.

Ka qenë si një rrufe në qiell të pastër për ekipin në radhë të parë, edhe pse ndoshta vetë trajneri në javët e fundit ka kuptuar se diçka e tillë nuk do të përbënte ndonjë çudi nëse merrej si vendim.

Laçi humbi me Partizanin të hënën në “Elbasan Arena”, por pozicioni që ka aktualisht në renditje e mban brenda objektivit për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës.

U mendua se fitorja në gjysmëfinalen e parë ndaj Teutës ishte si pika e kthesës për skuadrën, por presidenti Pashk Laska duket se nuk e ka përtypur dot faktin që bardhezinjtë nuk kanë vazhdimësi, pasi në kampionat nuk arrijnë dot të fitojnë prej gjashtë javësh radhazi.

Gjithsesi, burime në klubin kurbinas i treguan dje gazetës se krisjet e para mes drejtuesve dhe trajnerit kanë lindur që pas humbjes me Tiranën në kryeqytet me shifrat 4-1, atëherë kur Laçi kishte vetëm tri pikë më pak se bardheblutë dhe konsiderohej totalisht në garë për titull.

Ajo disfatë prishi ekuilibrat, por më së shumti barazimet radhazi ndaj ekipeve si Kastrioti, Egnatia dhe Skënderbeu, zhgënjyen më shumë drejtuesit.

Mësohet se Josa ka qenë në diskutim për t’u shkarkuar që në momentin kur kurbinasit humbën në shtëpi ndaj Teutës.

Mirëpo, përtej dyzimeve të Laskës, trajneri vazhdoi në stol dhe udhëhoqi skuadrën drejt fitores 1-2 në Durrës për Kupë, duke hedhur një hap të madh për kalimin në finale, teksa ndeshja e kthimit luhet më 13 prill në Laç.

Kujtojmë që Josa e mori drejtimin e ekipit në tetor të vitit 2021. “Laçi njofton se ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Mirel Josa.

E falënderojmë profesorin për angazhimin e tij këto gjashtë muaj dhe i urojmë suksese”, citohej dje në njoftimin e klubit në rrjetet sociale.