Me humbjen ndaj Egnatias rivale dhe fitoren e Kastriotit në Shkodër, Dinamo e ka ngushtuar shumë “lakun” e qëndrimit në Superiore. Kërcënimi i rënies nga kategoria është shumë i madh, aq me tepër duke parë atë që kjo skuadër prodhon në fushë. Matematika i mban blutë në lojë ende, por sa mundësi kanë ata vërtet të shpëtojnë? Ish-trajneri i Dinamos, Faruk Sejdini, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, mes batutave të zakonshme, flet për humbjen e fundit dhe situatën e komplikuar që po përjetojnë kryeqytetasit.


Profesor Sejdini, situata te Dinamoja ka kohë që është e vështirë, por si ka mundësi që në vend që të kalohet, ajo vazhdon të përkeqësohet?

Situata e Dinamos është komplikuar edhe më shumë, sepse është një varg gabimesh që janë bërë që në fillim. Ndoshta mua më pëlqen të përdor pak termat ushtarakë, por do të thosha se nuk ka ushtarë të këqij, ka komandantë të këqij. U gabua me trajnerët dhe lëvizjet e tyre gjatë kampionatit, me ato heqjet e të dytëve, pastaj të të parëve dhe qëndrimin e të dytit.

Ishte pa sens, madje me atë gjirokastritin (Devollin) humbën më shumë kohë. Ai fliste për lojë dhe raste, ndërkohë që vetëm humbiste. Kjo humbja e fundit me Egnatian i ka komplikuar edhe më shumë llogaritë, por përderisa matematika e lejon, Dinamo duhet të ngulmojë dhe të përpiqet për të shpëtuar.

Cili është gjykimi juaj për ndeshjen me Egnatian, që ishte shumë e rëndësishme për mbijetesën?

Isha në Elbasan, e pashë ndeshjen nga afër. Dinamo ka një problem të madh, që nuk lindi në këtë ndeshje, por e ka gjithë sezonin. Dinamo nuk ka instinktin mbrojtës, nuk e ka fare. Njeriu në psikologjinë e vet ka atë që mund të quhet si “diga mbrojtëse”, është një instinkt.

Për shembull, kur dikush të gjuan me gur, ti vendos dorën përpara që të mbrohesh, sepse është instinkti. Edhe në futboll është ky instinkt mbrojtës, por që Dinamo nuk e ka fare. Kur rezultati ishte 0-1, skuadra u hap shumë prapa dhe u thashë atyre që kisha afër, Demollarit, Çobanit dhe të tjerëve, se do të pësonin gol. Dinamo la shumë hapësira prapa, aty kishte vend të kullosnin 40 buallica…