Kombëtarja e Shqipërisë e femrave, e drejtuar nga trajneri Armir Grima, është duke u përgatitur për dy sfidat e rradhës zyrtare ndaj Belgjikës dhe Armenisë, të vlefshme për kualifikueset e kampionatit botëror.

Skuadra kuqezi është grumbulluar që prej ditës së dielë dhe vijon seancat stërvitore, duke u përgatitur me intensitet për ndeshjet, teksa të gjithë vajzat e grumbulluara janë në formë të mirë dhe për momentin nuk ka probleme fizike.

Pjesë e këtij grumbullimi edhe mesfushorja shkodrane Alma Hila, e cila aktivizohet në Itali. Në një prononcim, ajo vlerëson atmosferën në skuadër dhe shpreh bindjen se Kombëtarja e femrave do të bëjë gjithçka për një paraqitje sa më të mirë ndaj Belgjikës.

“Jam shumë e lumtur që jemi rikthyer në grumbullim së bashku me vajzat. Skuadra është në gjendje të mirë, jemi në ditën e dytë të grumbullimit dhe po përpiqemi të përgatitemi në mënyrën e duhur fillimisht për ndeshjen e parë ndaj Belgjikës, që të bëjmë një paraqitje sa më të mirë. Mendoj se kemi një grup shumë cilësor lojtaresh dhe ndihemi shumë mirë kur luajmë së bashku.

Në ndeshjen e parë në Tiranë kemi bërë një paraqitje shumë të mirë. Besoj edhe në ndeshjen e kthimit do të bëjmë të njëjtën paraqitje dhe për këtë arsye po përgatitemi shumë dhe e kemi marrë shumë seriozisht këtë sfidë.

A mund të lëmë dy skuadra pas në renditje? Unë mendoj se këtë gjë mund t’a arrijmë, pasi kemi një grup shumë të mirë dhe besoj se mund të arrijmë më shumë. Do të ishte tejet pozitive dhe një arritje e madhe, nëse arrijmë të lëmë pas nesh dy skuadra në renditje”,-mbylli prononcimin e saj, mesfushorja e Kombëtares së Shqipërisë së femrave, Alma Hila.
Maringlen ZHIVANI