Nga dje ka nisur epoka “Duro 2” te Laçi.Trajneri i mirënjohur kryeqytetas, Shpëtim Duro, ka zhvilluar stërvitjen e parë me ekipin kurbinas, teksa ka në dispozicion vetëm dy ditë kohë për të përgatitur ndeshjen e radhës në kampionat kundër Vllaznisë, që do të luhet të shtunën në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Duro duhet t’i bëjë llogaritë pa qendërmbrojtësin serb, Aleksandar Ignjatoviç, në këtë takim, pasi kapiteni ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë.

Gjithashtu, në dyshim është edhe prania e qendërmbrojtësit tjetër, Renato Malota, i cili për shkak të një dëmtimi ka munguar në dy ndeshjet e fundit ndaj Teutës dhe Partizanit.

Lajm i mirë është riaftësimi i mesfushorit Klinti Qato, ndërsa për sulmuesin malazez, Dejan Zarubica, nuk ka asnjë shenjë për rikthimin.

Ndërkohë, mungesë e sigurt duket sulmuesi nga Liberia, Van Dej Harmon, që u dëmtua në takimin për Kupë ndaj Teutës dhe ende nuk është riaftësuar.

Laçi ka gjashtë ndeshje radhazi në kampionat që nuk fiton, prandaj dhe në këtë rikthim të Duros pret të bëjë kthesën e madhe në transfertën e Shkodrës, aty ku në fazën e dytë humbi minimalisht 1-0.