Trajneri i Partizanit ka dalë në konferencën për shtyp para ndeshjes me Teutën. Mehmeti ka tërhequr vëmendje te lojtarët duke i thënë se durrsakët janë ende kampionët në fuqi të Superiores, pavarësisht renditjes së tyre në tabelë.

Gjithashtu kujtohet se të kuqtë janë në garë për Europën jo vetëm nga kampionati, por edhe nga Kupa.

“Skuadra e Teutës është kampione në fuqi, dhe pavarësisht luhatjeve, nuk është kundërshtare e lehtë. Do të jetë histori tjetër nesër, pavarësisht fitores sonë në fazën e tretë.

Duhet të jemi të përqendruar, të jemi profesionistë dhe të japim maksimumin. Duhet të kemi mentalitetin e duhur për ta fituar ndeshjen. Stafi dhe lojtarët, të gjithë duhet të jemi me këmbë në tokë për mënyrën sesi duhet ta menaxhojmë ndeshjen.

Partizani është në mesin e tabelës, por jemi në garë dhe me një fitore mund të jesh në luftë për një vend në Europë, që është objektivi minimal. Për sa i përket motivimit, skuadra nuk ka freskinë e duhur, kjo e bën të duket si e pamotivuar.

E kam theksuar shpesh, Partizani është në garë për objektivin minimal si në kampionat dhe Kupë. Janë 27 pikë në lojë, s’kemi pse të dorëzohemi”, tha Mehmeti.