Ernest Muçi nuk është më një lojtar kryesorë për Legia Warsawa, i cili kohët e fundit nuk është preferuar në formacionin e skuadrës.

Për këtë në një intervistë për “legia.net” ka folur drejtori sportiv i skuadrës, Jacek Zielinksi, i cili ka theksuar se lojtari shqiptarë është i talentuar, por ka humbur shumë nga forma e tij e dikurshme.

“Muçi dukej mirë gjatë fazës përgatitore. Rosolek po luan në formacion sepse vrapon më shumë në zonën e penalltisë. Ernesti e bën më rrallë, por luan dhe gjuan nga distanca.

Më pas e kemi futur si zëvendësues dhe ka qenë i zbehtë. Kundër Warta Poznan të gjithë luajtën keq dhe as Muçi nuk ra në sy. Ndoshta ai mund të spikaste në një pjesë kundër Gornik Leczna.

Vukovic mundohet të jetë një trajner i drejtë dhe të gjykojë ato që ndodhin në ndeshje dhe stërvitje. Pastaj ka edhe çështje taktike.

Nuk mund të mendosh që nëse dikush është i talentuar, do ta fusim në lojë që të zhvillohet dhe në njëjtën kohë të zbresim nga liga.

Nuk vlerësojmë potencialin, vetëm formën aktuale, ajo që është më e rëndësishmja. Ndoshta ka humbur pak Muçi është e vërtetë, por mund të bëjë më mirë në të ardhmen”, ka deklaruar Zielinski.