Shpëtim Duro ishte katalizatori i sukses it të Laçit në sezonin e shkuar, ku nën drejtimin e trajnerit kryeqytetas kurbinasit i shkuan betejës për titull kampion deri në fund, si dhe shkruan historinë e klubit në Europë duke shkuar deri në turin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Pas suksesit në Europë, Duro u distancua nga Laçi, por pas ndërprerjes së kontratës me trajnerin Mirel Josa, palët janë bashkuar sërish.

Trajneri Shpëtim Duro debutimin sezonal me Laçin e bën sot në Shkodër dhe në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” në prag të kësaj transferte, 62-vjeçari pohoi se e kënaq çdo rezultat, veç humbjes. Duro tregon për rikthimin e tij, si e gjeti skuadrën dhe problemin që ajo ka, sipas konstatimit të tij, si dhe flet edhe për duelin e sotëm me Vllazninë.

Për këtë takim trajneri Duro nuk ka në dispozicion Ignjatoviçin e pezulluar nga kartonët dhe Harmonin e dëmtuar. Gjithashtu, sqaron edhe situatën e sulmuesit malazez, Dejan Zarubica, që e ka mbyllur sezonin nga dëmtimi.


Si e gjetët skuadrën, çfarë ju bëri më shumë përshtypje në krahasim me ditën kur u larguat?

Rikthimi im te Laçi është një vlerësim nga ana e drejtuesve të klubit ndaj meje, duke pasur parasysh edhe punën që bëmë në sezonin e shkuar kur ishim pretendentë për titull deri në fund, si dhe paraqitjen historike në Kupat e Europës. Gjej po atë skuadër që unë lashë para shtatë muajsh në përfundim të aventurës europiane dhe pa ndryshime. Më duket sikur jam rikthyer në një ambient që e lashë për ca kohë.

Jo vetëm Laçin, si ish-skuadrën time ku vjet bëmë një punë të mrekullueshme, kryesisht gjatë gjithë verës, por edhe kampionatin shqiptar e ndjek me vëmendje. Skuadra ka pasur probleme kohët e fundit, kryesisht psikologjike, sidomos pas humbjes me Tiranën, që u pasuan me disa rezultate jo pozitive. Mendoj se Laçi në këtë periudhë ka vuajtur më shumë në aspektin psikologjik, ku në ndeshje të veçanta i ka munguar pak edhe fati. Pra, kjo është situata e kohëve të fundit në ekip.


E nisni me një transfertë delikate ndaj Vllaznisë. Çfarë ndeshjeje prisni?

Patjetër që është një transfertë delikate, por çdo ndeshje ka rëndësinë e saj. Gjithsesi, përballja me Vllazninë është e rëndësishme. Opinioni im që në fillim të sezonit ka qenë se këto dy skuadra do të luftonin deri në momentet e fundit për titullin kampion.

Por të dyja ekipet vijnë në këtë takim në një situatë pak as shumë të njëjtë, pasi kanë disa ndeshje pa fitore. Sipas mendimit tim, si Vllaznia dhe Laçi vuajnë anën psikologjike, duke u rënduar shumë nga situatat dhe mosmarrja e rezultateve duke humbur edhe vazhdimësinë. Të dyja ekipet vijnë nga ecuri jo e mirë në kampionat.


Një pikë në Shkodër do t’ju kënaqte?

Pavarësisht momentit që po kalojnë, shkodranët kanë një skuadër me potencial të madh, ndaj është një ndeshje e rëndësishme. Çdo rezultat, përveç humbjes, është pozitiv për ne në këtë takim. Pra, si fitorja dhe barazimi do të më kënaqnin në Shkodër.


Ju mungon Ignjatoviç për kartonë. Si është situata me lojtarët e tjerë që kanë pasur dëmtime, si Malota, Harmon apo Qato?

Për këtë takim kemi mungesa, ku Ignjatoviç është i pezulluar nga kartonët, si dhe Harmon nuk është rikuperuar nga dëmtimi. Ndërsa të tjerët janë të gatshëm për Vllazninë.


Çfarë ka ndodhur me Zarubicën, si dhe a do të jetë më pjesë e ekipit apo quhet i larguar tashmë?

Zarubica është një futbollist që ka qenë shumë i rëndësishëm për ekipin, pasi më pëlqente për mënyrën e të luajturit. Isha unë që dhanë OK-in gjatë merkatos së verës që të vinte te Laçi, pasi është një lojtar shumë i mirë. Por nga informacioni që kam, sulmuesi e ka mbyllur sezonin pasi ka një dëmtim që nuk rikuperohet deri në përfundim të kampionatit. Zarubica është nën kontratë me Laçin, pasi kur ka ardhur, ka firmosur kontratë dyvjeçare. Por se si do të procedohet në vazhdim, do të shikojmë.