Vllaznia do të luajë ditën e sotme takimin ndaj Laçit me synimin për t’u kthyer te fitorja. Një përballje deçizive për shkodranët, që vijnë pas një serie rezultatesh negative.

Për këtë takim, trajneri Elvis Plori do të ketë të gatshëm të gjithë lojtarët, pavarësisht se dy prej tyre, kapiteni Erdenis Gurishta dhe Fallou Diagne, nuk do të jenë të gatshëm për këtë sfidë, njëri për shkak dëmtimi dhe tjetri prej kartonëve.

Megjithatë, Plori do të ketë edhe një rikthim. Kështu, bëhet fjalë për mesfushorin Elvedin Heriç, që mungoi në ndeshjen e fundit ndaj Kastriotit për shkak kartonësh dhe sot ndaj Laçit do të jetë i gatshëm për Vllazninë.

Kjo ndeshje ndaj Laçit nuk pritet të sjellë shumë lëvizje në formacion. Me përjashtim të Diagne, që do të zëvëndësohet nga Bulatoviç, pjesa tjetër e formacionit nuk pritet të ndryshojë.

Kështu, në portë pritet të jetë Zogoviç. Kruja pritet të vendoset sërish në krahun e djathtë të mbrojtjes. Në qendër të prapavijës, Adili do të ketë si partner malazezin Bulatoviç, ndërsa në të majtë i zakonshmi Hakaj.

Në mesin e fushës pritet që të jetë sërish dyshja Jonuzi-Krymi. Në të dy krahët e këtij reparti pritet që të luajnë Latifi në të majtë dhe Hoxhaj në të djathtë. Në majë të sulmit pritet që të vendoset Aralica, i cili pas shpinës do të ketë brazilianin Da Silva.

Pavarësisht skicimit të formacionit, deri para ndeshjes Plori në mendjen e tij, mund të ketë edhe ndonjë lëvizje tjetër. Alternativë është pa dyshim edhe Gjurgjeviç, i cili mund të luajë në krahun e djathtë, por çdo gjë do të vendoset pak orë para fillimit të ndeshjes.

Ndeshja Vllaznia-Laçi do të luhet ditën e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, duke nisur nga ora 16:45. /Maringlen ZHIVANI/

Zogoviç

Kruja Adili Bulatoviç Hakaj

Jonuzi Krymi

Hoxhaj Da Silva Latifi

Aralica Tr: Elvis Plori