Vllaznia nuk do të jetë e plotë edhe në takimin e sotëm ndaj Laçit. Në fakt, kishte shumë shpresa se sot do të rikthehej për të luajtur sërish kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, por nuk do të ndodhë kështu edhe këtë herë.

Stafi teknik me në krye trajnerin Plori e ka ndjekur me shumë kujdes situatën rreth tij dhe pavarësisht dëshirës për ta patur në dispozicion, duket se ka vendosur të mos rrezikojë edhe për pak ditë. Një gjë të tillë e ka shprehur dje edhe trajneri Plori në konferencën për shtyp.

“Gurishta është në dyshim për të luajtur titullar, është stërvitur vetëm sot dhe do të jetë me skuadrën, megjithatë nuk besoj se do ta nisë nga fillimi edhe këtë ndeshje”,-është shprehur trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori.

Në fakt, Gurishta është drejt rikuperimit të plotë, kur dihet se mungon që nga ndeshja e kampionatit me Partizanin ku u dëmtua. Stafi mjekësor i ka rekomanduar kapitenit Gurishta që të jetë pushim edhe sot, gjë të cilën e konfirmoi dje edhe trajneri Plori, që nuk e llogarit si titullar.

Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta pritet të jetë i gatshëm në mesjavë ndaj Partizanit në Kupë. Në këtë mënyrë, numri 2 i kuqebluve me shumë mundësi, po programohet të jetë titullar ndaj Partizanit të mërkurën, pikërisht ndaj skuadrës me të cilën luajti ndeshjen e fundit para dëmtimit.
Maringlen ZHIVANI