Ditën e sotme, Tërbuni do të përballet me Besëlidhjen në Pukë dhe të dy ekipet kanë synim të fitojnë.

Në prag të sfidës ndaj lezhjanëve, në një intervistë për “Shkodra Sport”, ka folur trajneri i Tërbunit, Elvin Beqiri. Tekniku shkodran analizoi këtë sfidë, por nuk harroi të jepte një koment pozitiv edhe për tifozërinë pukjane.

“Sigurisht që, çdo ndeshje është e vështirë në këtë pikë që ka ardhur kampionati. Besëlidhja vjen nga një seri fitoresh periudhën e fundit dhe vjen moralisht e motivuar për të vazhduar me serinë e rezultateve pozitive, por edhe ne do vazhdojmë të mbajmë ecurinë e mirë, që kemi patur gjatë kampionatit, pavarësisht humbjes së pamerituar në ndeshjen e fundit kundër Besës.

Sot për ne nuk do jetë në dispozicion kapiteni Metani për arsye se ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë, kurse pjesa tjetër do jetë e gatshme.

Nuk mund ta fsheh që jam i lumtur me ecurinë e deritanishme të ekipit dhe këtu kanë meritë të gjithë për impenjimin dhe përkushtimin që kanë shfaqur. Ajo që është e rëndësishme tani është se duhet të ruhet përqëndrimi deri në fund, sepse akoma nuk ka mbaruar asgjë.

Mendoj që mund të kishim bërë akoma më mirë me atë, që ka shfaqur ekipi në pjesën më të madhe të ndeshjeve. Kemi bërë shumë barazime, nga të cilat gjysma mund t’i kishim marrë fitore, por pjesa e finalizimit na ka penalizuar, duke mos qenë të saktë para porte.

Gjithsesi, ajo që ka kaluar, ka kaluar dhe unë kam shumë besim tek sulmuesit e ekipit, që në këto ndeshje që kanë mbetur, do të bëjnë më të mirën e tyre, për të ndihmuar ekipin në këtë pikë të dobët që kemi patur.

Tifozët pukjanë kanë shumë ngjashmëri me tifozët shkodranë, sepse janë të zjarrtë dhe jetojnë gjithmonë me ecurinë e ekipit të tyre. I falënderoj shumë për mbështetjen e tyre që na japin jo vetëm në qytetin e Pukës, por edhe në ndeshjet jashtë.

Jemi të përkushtuar që të japim maksimumin deri në fund të kampionatit, që t’i gëzojmë tifozët, sepse e meritojnë. Ky është synimi ynë dhe i presidentit të ekipit z.Gjonaj, që po bën maksimumin, që ekipi të jetë i qetë dhe i motivuar në realizimin e objektivit.

Mendoj që, me ambiciet dhe korrektësinë që po shfaq presidenti i ekipit, z.Gjonaj, ekipi do ketë një të ardhme shumë të mirë. Shpresoj që të afrohen sa më shumë donatorë që të ndihmojnë ekipin në realizimin e objektivave të klubit, që shumë shpejt të projektohet një ekip që të jetë i denjë të marrë pjesë në ekipet elitare të kampionatit shqiptar. Kjo gjithmonë do mbetet për t’u parë në zhvillimet e mëvonshme”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Tërbunit, shkodrani Elvin Beqiri.

Maringlen ZHIVANI