Olsid Ferataj dhe Andi Koçi nuk kanë gjykuar asnjë ndeshje të Superiores, prej ndeshjes së fundit që ata arbitruan Partizani-Vllaznia, 0-0.

Pak ditë pas asaj ndeshjeje, nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se në FSHF është bërë një mbledhje, teksa të dy gjyqtarët janë pezulluar për disa gabime që kanë bërë në këtë ndeshje, por nga sa mësohet do të rikthehen shumë shpejt për të arbitruar.

Ky lajm nuk konfirmohet zyrtarisht nga askush, megjithatë mbetet për t’u parë në këtë javë të Abissnet Superiore, nëse dyshja Ferataj-Koçi do të gjykojë ndonjë ndeshje të kësaj jave.

Në fakt, Olsid Ferataj dhe Andi Koçi nuk janë të parët gjyqtarë që dënohen në këtë mënyrë pa asnjë lloj njoftimi zyrtar nga ana e FSHF. Kjo e fundit preferoi të heshtë, të paktën për momentin.

Megjithatë, si Ferataj, ashtu edhe Koçi, në javën e kaluar, nuk kanë arbitruar asnjë ndeshje dhe kjo të lë vend për hije dyshimi, sikur ata janë pezulluar përkohësisht nga FSHF.
Maringlen ZHIVANI