Egnatia mori një pikë me vlera përballë Kukësit në Kamzë. Skuadra nga Rrogozhina e mbylli në barazim 1-1 duelin me verilindorët, duke regjistruar rezultatin e katërt radhazi pozitiv. Trajneri Zekirija Ramadani foli pas ndeshjes për “Gol pas Goli” në Supersport, ku ndër të tjera tha:

“Pjesa e parë ishte një ndër pjesët më të dobëta që kemi luajtur që kur jam unë trajner tek Egnatia. U mundova gjatë pushimit t’i kap në ndërgjegje lojtarët, nuk kishim probleme taktike. E bëra për të karikuar ekipin, që të ishim më luftarak.

E arritëm qëllimin, shënuam golin e barazimit dhe kishim raste. Pikë e merituar, por nuk mjafton një pjesë e mirë. Duhet të luajmë nga fillimi, por ishte një pikë e madhe. Më vonë do ia dimë vlerën kësaj pike.

Nënvlerësimi nuk diskutohet, nuk ka shanse të nënvlerësojmë Kukësin. E filluam ndeshjen me respekt të madh. Ne duhet të jemi shumë luftarakë.

Mund të jemi më të dobët teknikisht dhe taktikisht, por shpirtin luftarak duhet ta kemi më të madh se ekipet e tjera. Në krahun e majtë mungoi dublimi, nuk ishte defekt tjetër.

Në pjesën e dytë kishim më shumë siguri, nuk i lamë të vinin shumë kollaj te porta jonë. Mëkat për rastet e humbura, por do ishim të kënaqur me një barazim përpara ndeshjes, kështu që duhet të jemi të kënaqur”, përfundoi Ramadani.