Kukësi nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ndaj Egnatias. Sfida e luajtur në Kamëz u vendos nga golat e shënuar nga Taipi për verilindorët, ndërsa Imeri barazoi në pjesën e dytë për Egnatian duke vulosur përfundimisht takimin në 1-1. Në fund të takimit për emisionin “Gol pas Goli”, trajneri i Kukësit, Diego Longo u shpreh:

“Rezultati është 2-1, nuk e kuptoj se pse doli ndeshja 1-1. Nuk e kam idenë, por është e pamundur që të analizosh golin e 2-1. Në këtë ndeshje duhej të ndryshohej vetëm gjyqtari pasi janë gjëra që nuk varen nga mua. Nuk kam asnjë fjalë, nuk e kuptoj se pse gjyqtari nuk shkon në VAR dhe ta shikojë rastin.

VAR mund të kishte gabuar, por për këtë gjë është gjyqtari që të korrigjojë gafën pasi ne luftojmë për familjet tona. Ky rast është gol, edhe nëse do ishte prekje me dorë, ishte ngjitur. Këtu është xhungël, pyeta delegatin e ndeshjes se pse gjyqtari e anulloi këtë gol, por ai e ktheu në ofendime personale ndaj meje.

Në pjesën e parë luajtëm mirë, nëse na lënë të luajmë nuk e kemi problem. U munduam të luanim, por edhe fusha nuk ishte në gjendjen e duhur”.

Pse u largua Hila dhe jeni i kënaqur me paraqitjen e portierit? “Jam i lumtur për portierin Collari pasi po punon çdo ditë dhe nuk ka shumë eksperiencë. Sot bëri pak gabime, por nuk është e lehtë të zëvendësosh Tafasin dhe duhet të analizojmë gabimet në sfidën e sotme.

Hila është ende lojtari i Kukësit, por tani është duke menduar për sjelljen që ka. Mund të bëhet një nga lojtarët më të mirë, apo edhe më të keq, por varet nga ai. Është dënuar me 4 ndeshje me Kukësin U21 dhe për këtë arsye nuk është pjesë e skuadrës së parë, por është pjesë e Kukësit”, u shpreh Longo.