Prej javësh, Vllaznia ndodhet në vendin e katërt dhe, pavarësisht dëshirës, nuk po arrin të kalojë Kukësin e vendit të tretë, vend ky që të kualifikon direkt në Kupat e Europës.

Faza e tretë tregoi se shkodranët janë në një rënie të lirë, megjithatë kanë ende shumë shanse që minimalisht të arrijnë vendin e tretë, që të kualifikon në Conference League. Statistikat tregojnë se faza e tretë nuk ka qenë më e mira për Vllazninë.

Shkodranët kanë arritur të grumbullojnë 9 pikë në këtë fazë, një shifër shumë negative, në krahasim me ecurinë e dy fazave të para. Në fazën e parë, kuqeblutë rregjistruan 3 fitore, 4 barazime dhe dy humbje, pra 13 pikë, më pas në të dytën, ata e rritën disi nivelin dhe grumbulluan 17 pikë.

Ndërkohë, nëse në fazën e parë ata renditeshin në vendin e tretë, që të dërgon në Kupat e Europës, Vllaznia në dy fazat pasardhëse ka zbritur në vendin e katërt, teksa ka pasur një rënie të lehtë, por duke treguar një ecuri të qëndrueshme, megjithatë jo në nivelin e kërkuar.

Megjithatë, sot nis misioni për të rifilluar rritjen edhe njëherë tjetër në fazën e katërt dhe përballë është Laçi në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. /Maringlen ZHIVANI/

4 humbje, 2 fitore dhe 3 barazime (Faza e tretë) 9 pikë – Vendi i katërt

4 fitore, 5 barazime (Faza e dytë) 17 pikë – Vendi i katërt

3 fitore, 4 barazime, 2 humbje (Faza e parë) 13 pikë – Vendi i tretë