Një derbi verior me shumë, po shumë uri për reagimin. E duan me çdo kusht Vllaznia dhe Laçi, skuadrat protagoniste të një prej përballjeve më interesante të kësaj të shtune, sfidë e zonës së lartë të klasifikimit mes dy skuadrave që luajnë pothuajse gjithçka në pak ditë.

Te Laçi pas një serie prej 5 ndeshjesh pa fitore në kampionat, humbja me Partizanin ka rezultuar si pika që mbush Kupën për Mirel Josën, me presidentin Laska që ka nxituar të angazhojë një tjetër peshë të rëndë të trajningut, Shpëtim Duron.

Tekniku që bëri mrekullinë sezonin e kaluar duke qenë edhe strateg i një ecurie të shkëlqyer në kompeticionet europiane. Tani rikthehet për të ndryshuar kursin e Laçit dhe misioni “Duro 2” te Laçi nis me dy sfida të rëndësisë maksimale, transfertën e “Loro Boriçit” ku i duhet të rikthejë entuziazmin me një sukses dhe të ruajë vendin e dytë, dhe më pas të sigurojë kualifikimin në mesjavë në Kupë përballë Teutës.

Nuk do të jetë kapiteni Ignatoviç i pezulluar dhe Van Dave Harmon, por ndërkohë në skuadër është rikthyer Klinti Qato. Është një sfidë ku Laçit i duhet të bëjë llogaritë me dëshirën e madhe të Vllaznisë për të reaguar, pasi edhe në kampin shkodran ka patur shumë zhgënjim në ndeshjet e fundit.

Përtej pakënaqësisë për atë gol të anuluar në Kupë ndaj Partizanit, Vllaznia vjen pas 3 humbjesh radhazi në kampionat dhe aventura e Elvis Plorit si trajner i parë nuk ka nisur në mënyrën e duhur. Edhe për teknikun shkodran para janë dy sfida vendimtare dhe në këtë përballje me Laçin kërkon fitoren e parë për të rikthyer optimizmin para sfidës vendimtare me Partizanin në Kupë.

Vllaznia gjithashtu lufton në të dy frontet pasi 5 pikë larg Kukësit të vendit të tretë, Europa kërkohet edhe nga kampionati, dhe mbi të gjitha para tifozërisë së saj, ka detyrimin për tu rikthyer te loja e bukur dhe suksesi për të mos kompromentuar gjithçka në momentin më delikat të sezonit.