Në karrierë ashtu si në jetë duhet pak fat. Edhe pse ndonjëherë fati i dikujt përkon me tersin e një tjetri. Është ky rasti i Etrit Berishës që ka ditur të gjendet gati për Torinon kur skuadra humbi shërbimet e titullarit Vanja Milinkoviç-Saviç.

Shqiptari po mbron portën prej 360 minutash e deri tani rezultatet kanë qenë fantastike sepse pritjeve të tij u janë bashkangjitur edhe rezultatet e skuadrës që ka marrë pesë pikë.

Humbja me Xhenoan ka kaluar pa dhimbje, sidomos pas “Demat” kanë barazuar me Bolonjën dhe Interin, ndeshje ku dorezat e Berishës rezultuan vendimtare ashtu si në Salerno ku djemtë e Juriçit morën tri pikë të vyera.

BRAZILIANI – Në sfidën e së dielës kundër Torinos, Milani do të ketë në sulm njërin mes Ibrahimoviçit dhe Zhirusë, me këtë të fundit të avantazhuar.

Një ndeshje vendimtare për kuqezinjtë nëse duan të ruajnë kreun. Lidhur me këtë sfidë ka folur edhe Gleison Bremer, mbrojtësi që në muajt e fundit është përfolur disa herë për një transferim nën urdhrat e Piolit.

Në një deklaratë për rrjetin “DAZN”, braziliani ka thënë: “Mezi po e pres ndeshjen me Milanin sepse nuk ndodh përditë të përballesh me lojtarë si Zhiru apo Ibra. Janë të fortë fizikisht, ndaj për t’i ndaluar duhet të përdorësh forcë”.