Një dëmtim i rëndë në gju e la për një kohë gati 2-mujore jashtë fushave kapitenin e Vllaznisë, Erdenis Gurishta. Megjithatë, mbrojtësi shkodran do të rikthehet në fushë pas gati 2 muajsh me Vllazninë.

26-vjeçari pritet të jetë në fushë nga minuta e parë ndaj Partizanit, në ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”. Mbrojtësi dhe njëherësh kapiteni i Vllaznisë, mungoi në tetë ndeshjet e fundit të kuqebluve.

Gurishta mori një dëmtim në ndeshjen e kampionatit ndaj Partizanit, ku ndjeu dhimbje në gju. Në fakt, kapiteni i Vllaznisë është stërvitur në kujdes të plotë, në mënyrë që të mos përsëritet dëmtimi.

Kështu, edhe trajneri Elvis Plori ka marrë një lajm të mirë në këtë pragndeshje, me Gurishtën që kthehet aty ku e la, nga Partizani te Partizani…
Maringlen ZHIVANI