Rastësi ose jo, por Vllaznia nuk di të fitojë pa trajnerin Thomas Brdaric. Gjermani i larguar menjëherë pas ndeshjes me Tiranën të humbur 2-1 në “Loro Boriçi” duket se ka qenë njeriu që mbante të bashkuar mabjentin shkodran, sërish në vështirësi të mëdha për të gjetur rezultatet pozitive të 18 muajve të fundit. 6 ndeshje pa fitore mes Kupës dhe kampionatit, vetëm 2 gola të shënuar dhe 7 të pësuar. Hap i denjë për një skuadër që lufton në zonën e mbijetesës.

Vllaznia nuk arrin të rigjejë ekuilibrin e humbur në një sezon që mund të mbyllet në mënyrën më të keqe të mundshme. Europa që ishte edhe objektivi minimal në fillim të sezonit, tashmë duket se mund të kalojë vetëm nga rruga e Kupës ku Vllaznia duhet të bëjë më shumë për të thyer Partizanin pas atij 90 minutëshi shterpë në përballjen e Elbasanit që u mbyll me një lumë polemikash për shkak të vendimit të kryesorit për të anuluar golin e frymës së fundit.

Dy golat e fundit të shënuar nga shkodranët mbajnë firmën e Aralicës, që të dy në humbjet me Tiranën dhe Kastriotin ndërsa pjesa tjetër e repartit të avancuar duket se ka humbur në tunelin e errët të pjesës së tretë të sezonit ku e gjithë skuadra po reflekton mungesën e harmonisë.

Nëse sezonin e kaluar dhe në dy fazat e para të aktualit, Vllaznia ishte skuadra etalon e futbollit të bukur, sot kuqeblutë janë transformuar në një kopje të shëmtuar të vetvetes por koha nuk premton, të mërkurën në kryeqëndrën e veriut kjo skuadër do të kërkojë të hedhë hapin e madh për të shpëtuar një sezon plot ulje ngritje.