Mbremjen e sotme u mbyll edhe gjysmëfinalja e kthimit të kupës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Partizanit. Takimi i luajtur në “Loro Boriçi” shikoi si finaliste Vllazninë pas penalltive, ku koha e rregullt dhe ajo shtesë përfundoi në shifrat 1-1.

“Shkodra Sport” sjell edhe disa “pikante” të ndeshjes që përcaktoi edhe finalistin e kupës në këtë edicion.

-Ka një interesim të kënaqshëm të tifozëve në “Loro Boriçi”. Nuk mungojnë as tifozët e Partizanit që kishin udhëtuar nga kryeqyteti.

-Një pankartë me fjalën “Zgjohuni” është e shpalosur të tribunën D2 ku ndodhen tifozët e Vllaznisë. Kjo referuar edhe formës jo shumë pozitive që kanë kaluar kuqeblutë së fundmi.

-Një takim shumë miqësor mes dy trajnerëve Plori dhe Mehmeti para fillimit të takimit. Ndërsa nuk mungon as përshëndetja e Hakajt dhe H.Markut me ish-shokët e skuadrave të sezonit të shkuar.

-“Shpërthen” i gjithë stoli i Partizanit pas vetëm 3 minutave lojë. Mala kalon në avantazh të kuqtë dhe gëzimi është i ligjshëm, por trajneri Mehmeti ul euforinë tek të tijët duke ditur se ka edhe shumë minuta lojë.

-Ndihmësi i trajnerit Mehmeti, Fatjon Tafaj dëgjohet teksa udhëzon Skukën në një goditje këndi. Tafaj i drejtohet me fjalët:”Kujdes numrin 4”. Duke iu referuar Adilit, të cilin sulmuesi dibran duhet ta mbronte në zonë.

-Një atmosferë e zjarrtë në “Loro Boriçi” krijohet nga ana e dy tifozerive ultras të dy skuadrave.

-I nevrikosur Mehmeti me Skukën. Sulmuesi tregohet shumë egoist në një moment ku mund të shërbente për Kallakun që ishte në pozicion të volitshëm për të shënuar.

-Stadiumi “Loro Boriçi” merr “zjarr”. Kjo pasi Vllaznia barazon me Aralicen, që sjell super entuziasëm tek tifozeria shkodrane.

-Trajneri i portierëve i Vllaznisë, Ideal Lekiqi e ndjek ndeshjen nga tribuna gazetarëve. Ku nuk ngurrron shpesh të japë udhëzime me zë të lartë për lojtarët kuqeblu

-Tifozët e Partizanit shpalosin një portret të Loro Boriçit duke shprehur kështu respektin për legjendën e futbollit shqiptar. Ish-sulmuesi që ka luajtur si me Vllazninë dhe Partizanin dhe në stadiumin që mban emrin e tij.

-Një tifoz ngatërron trajnerin e Vllaznisë duke u drejtuar me fjalët: “Brdariç nxirre ngs fusha Latifin”. Dikush i kujton se tashmë drejton Plori dhe se trajneri gjerman është larguar nga shkodranët.

-Ndeshja ka kaluar në shtesën e 30 minutave, ndërsa trajnerët Plori dhe Mehmeti ndodhen gjithmonë në këmbë duke udhëzuar ekipet e tyre.

-Ka edhe një tifoz që me batutë thotë: “Mbarojeni shpejt ndeshjen se po fillon Atletico Madrid-Manchester City”. Duke iu referuar sfidës së Champions League.

-Në fund mbyllet me Vllazninë që fiton me penallti kundër të kuqve. Delir në rradhët e kuqebluve që shkojnë në finalen e kupës e zhgënjim tek kryeqytetasit që shohin një sezon që po dështon.
Endri ÇINARI