Flamurtari nuk ka të njëjtin shkëlqim kur udhëton dhe kjo duket nga golat, paçka se pikët i marrin. Vuajtjen në transferta Behar Ramadani ia faturon vetëm infrastrukturës. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, shkodrani e quan të mbyllur historinë e ngjitjes, por ama paralajmëron pathyeshmëri deri në fund. Në radhë është Luftëtari dhe për mesfushorin do të jetë një ndeshje speciale. Pikët e plota nuk i llogarit aspak, por në të njëjtën kohë beson se ish-ekipi do të shpëtojë.

Flamurtari ndryshon pamje kur udhëton. Vërtet fitoni, por jeni më kursimtarë në gola. Pse ndodh kjo?

Është e vërtetë që në transferta shënojmë më pak dhe mendoj se në disa ndeshje kanë ndikuar terrenet. Ne kemi dominuar çdo kundërshtar si brenda dhe jashtë dhe kjo duket qartazi nga rezultate. Por në Vlorë jemi efektivë në gola për shkak të fushës, ajo na lejon të shprehemi më mirë. Ky është shkaku se përse shpërdorojmë shumë jashtë fushës sonë. Megjithatë, jam i kënaqur për ecurinë shumë të mirë të skuadrës, jemi në krye dhe të pathyeshëm.

Çfarë ju duket më shumë e vështirë nga kjo kategori?

Pjesa më e vështirë pa dyshim janë terrenet. Për gjithë të tjerat nuk kam ndonjë kritikë. Çdo gjë ka qenë korrekte. Vetëm infrastruktura e fushave na ka penalizuar pak, por e kemi kapërcyer këtë gjë dhe jemi ambientuar. Kemi lojtarë me shumë eksperiencë në skuadër dhe që dinë të përshtaten me çdo situatë. Nuk ka ndonjë dallim mes përbërjes së Flamurtarit dhe një skuadre në Superiore. Cilësisht jemi të njëjtë.

Të dielën rigjeni Luftëtarin, ish-ekipin tuaj. Do të kërkoni fitoren e radhës?

Ne do të vazhdojmë të bëjmë detyrën deri në ndeshjen e fundit. Po ashtu edhe të dielën me Luftëtarin do mundohemi të bëjnë më të mirën dhe do të marrim maksimumin.

Luftëtari po rrezikon qëndrimin në këtë kategori. A ju vjen keq?

Janë në pozita të vështira dhe më vjen vërtet keq, por mendoj dhe e dëshiroj që Luftëtari të shpëtojë nga rënia. Për shkaktarët nuk mund të them asgjë, pasi nuk e njoh situatën në lidhje me atë çfarë ndodh brenda klubit. Uroj që të dalin nga kjo situatë dhe të shkojnë ku e kanë vendin.

Do të qëndroni te Flamurtari edhe sezonin e ardhshëm?

Flamurtari ka një mision për të kryer. Unë nuk i lë punët përgjysmë. Do mundohem të bëj më të mirën time që Flamurtari të ringrihet dhe të jetë mes ekipeve më të mira.

Kur e shikoni në elitë Flamurtarin?

Flamurtari peshon shumë edhe në Kategorinë e Parë. Mendoj që edhe aty do jemi kalimtarë, dashtë Zoti. Jam i bindur se shumë shpejt do të rikthehemi në vendin që kemi për shtat./PANORAMA-SPORT/