Shqipëria e femrave arriti një fitore të thellë me rezultatin 4-0 ndaj Armenisë në transfertë, një ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”. Ky tre pikësh ishte mjaft i rëndësishëm për vajzat kuqezi, që tashmë i rendit në vendin e katërt me 10 pikë, një rekord ky për Kombëtaren shqiptare të femrave. Protagonistet e kësaj sfide, Lucije Gjini, Esi Lufo dhe Megi Doçi, në një prononcim për fshf.org shprehen të kënaqura për paraqitjen e skuadrës në Armeni.

Gjini, autorja e golit të tretë vlerëson këtë rezultat dhe rekordin që ka arritur kombëtarja në këto eliminatore, teksa shpreson se edhe në dy ndeshjet e fundit që do të zhvillohen në shtator, Shqipëria do të bëjë mirë. “Ishte një fitore e rëndësishme për ne, jo vetëm se fituam me rezultatin 4-0, por edhe sepse ishte hera e parë që Kombëtarja jonë grumbullon 10 pikë në një fazë eliminatore dhe mendoj që është një sukses që vjen hap pas hapi.

Tani na kanë mbetur edhe dy ndeshje për të luajtur për këto dy kualifikuese Botërori, ndaj Polonisë dhe Norvegjisë. Dihet që janë ekipe me nivel të lartë, por ne do të tëntojmë përsëri, sidomos kundër Polonisë, që të marrim një rezultat sa më pozitiv, për të grumbulluar sa më shumë pikë” – tha Gjini.

Si dy suksese në një ditë e konsideron Esi Lufo fitoren e vajzave kuqezi ndaj Armenisë, që përveç 4 golave, arritën të thyenin edhe rekordin e pikëve të grumbulluara, teksa premton edhe ndeshje të forta në vijim. “Ishte një paraqitje mjaft e mirë e ekipit, ku treguam shpirtin luftarak dhe besoj që edhe golat e shënuar e vulosën këtë. Mund të them që ishin dy suksese në një ditë, pasi shënuam edhe 10 pikët e para që është historike për ekipin tonë.

Ishte një ndeshje mjaft e mirë dhe atmosfera ishte shumë e mirë. Na kanë mbetur vetëm dy ndeshje, Norvegjia dhe Polonia. Dihet që janë ekipe shumë të mira, por ne do t’i shkojmë deri në fund, do të bëjmë luftën tonë dhe normalisht që do të tregojmë shpirtin tonë luftarak si në çdo ndeshje” – theksoi për fshf.org Lufo.

Kapitenia e ekipit Kombëtar, Megi Doçi, gjithashtu foli për këtë fitore, duke e konsideruar si një sfidë ku ekipi ynë tregoi se di të luajë futboll të bukur dhe dominues. Doçi vlerësoi rritjen e skuadrës përgjatë këtyre 10 viteve krijim, teksa theksoi se tashmë synimet janë të larta.

“Normalisht që jam shumë e lumtur. E rëndësishme është që fituam ndeshjen dhe morëm 3 pikët. Ishte një ndeshje e rëndësishme për ne, pasi ekipi tregoi që di të luajë një futboll të bukur dhe luajtëm mirë e dominuam lojën duke krijuar raste. Kemi bërë një punë mjaft të mirë deri tani, pasi nuk jemi më ai ekipi që jemi gjithmonë në fund të tabelës. Duhet të marrim parasysh edhe se kë kemi në grup, pasi kemi ekipe shumë të forta, që luajnë prej vitesh futboll si Norvegjia, Polonia dhe Belgjika. E rëndësishme është që ekipi ynë po rritet dhe po rritet edhe futbolli i femrave, që nga moshat e deri në kampionat.

Mendoj se është një ecuri mjaft e mirë, pasi vetëm 10 vite futboll kemi. Është e rëndësishme që ekipi ka bërë paraqitje të mirë edhe me ekipet e mëdha, por duhet të dimë që kanë eksperiencë, kanë vite futboll. Por gjithsesi, ekipi ynë ka vlerësuar çdo ndeshje dhe kemi treguar lojën tonë. Nuk është kjo më e mira jonë, por duhet ta pranojmë që kjo është paraqitja jonë më e mirë, pasi nuk jemi më të fundit e tabelës” – përfundoi Doçi.