Kur Saimir Malko i shënonte Teutës në finalen e Kupës më 28 maj të vitit 1994 dhe i jepte trofeun Tiranës, as që e mendonte se 22 vite më pas do të merrte rrugën për në Amerikë.

“Atëherë doja të jetoja në atdhe. Refuzova edhe një ofertë nga Mainci. Por e kam peng që nuk u largova nga Shqipëria që në ato vite”, thotë sot ishmbrojtësi i Kombëtares shqiptare në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”. “Ai gol është momenti më i lumtur në karrierën time, por futbollin duhet ta shfrytëzosh sa je i ri”, shton lushnjari që përveç bardhebluve, në karrierën e tij është aktivizuar edhe me Traktorin, Partizanin, Dinamon, Flamurtarin dhe Lushnjën. Po çfarë bën sot ish-futbollisti që fitoi trofe me Tiranën? Ka ngritur një biznes të vetin në Miçigan dhe dëgjon me ndonjë partizanas, si Paulin Dhëmbi, këngën e Pajtim Strugës “Tirona kampion”…

Saimir, sa vjet keni në SHBA?

Gjashtë vjet mbushen tani më 25 prill.

A jeni përshtatur?

Po, po. Deri tani mirë. Fillimet ishin pak të vështira.

A jeni i kënaqur me jetesën?

Po, sigurisht.

Këtu, kur ka festë bardheblu, ende vazhdon të dëgjohet kënga: “Janë ata të pakalueshëm Saimir Malko dhe Dabulla…”.

(Qesh…) Po, po, i kemi dëgjuar edhe këtu te kafja jonë kur bëhen festa. Kanë ardhur edhe disa tifozë të Tiranës këtu. Një ndër ta Mand Hasanaj, nëse ju kujtohet. Kam edhe Bujarin këtu, që ka qenë masazhator te Tirana. Po, Jari e pi kafen këtu tek unë çdo ditë. Këtu është edhe Paulin Dhëmbi.

Saimir, një lojtar i rëndësishëm i epokës suaj, në vend që sot ta kishte të garantuar një të ardhme të shkëlqyer në Shqipëri, detyrohet të marrë rrugët dhe të emigrojë. Po në vende të tjera a ndodh kjo me lojtarë cilësorë?

E vërtetë e hidhur, por prandaj futbollin për aq sa të jepet mundësia, duhet ta shfrytëzosh. Luan deri në njëfarë moshe dhe nuk je i përjetshëm. Më pas, po nuk krijove një të ardhme gjatë asaj periudhe, detyrohesh të bësh çfarëdolloj pune si të gjithë në emigracion.

A keni ndonjë peng, sepse një pjesë të madhe të karrierës e keni luajtur pasi ra sistemi komunist? A keni pasur mundësi që të ikni jashtë?

Pengu im i vetëm është që nuk u largova në periudhën kur kisha oferta nga disa ekipe, të paktën në Europë. Bëhet fjalë për Maincin në Gjermani.

Pse nuk u larguat kur i kishit këto mundësi?

Në atë periudhë më pëlqente të rrija në Shqipëri. Pishman i jetës sime ai është. Pastaj për të gjitha të tjerat jam i kënaqur me gjithçka kam arritur, të paktën në sport.

A e ndiqni kampionatin shqiptar, keni ndonjë informacion?

E ndjek. Ma lejon kafja, e ndjek këtu. Madje, pashë edhe Tirana me Skënderbeun 0-4. Tirana në kampionatin shqiptar bën diferencën.

Fakti që kur e shikon këtë kategori Superiore të kufizuar me 10 ekipe dhe më pas shikon që Lushnja, Apolonia, Elbasani, Besëlidhja, Tomori, Flamurtari, Luftëtari, Besa janë jashtë, çfarë ndjesie ju krijon?

Më vjen keq, sidomos për këto ekipet e mëdha. Lushnja të paktën ka pasur një traditë që hynte e dilte gjithmonë nga kategoria dhe dihej që Lushnja këtu do të përfundonte me investimin e bashkisë, pa asnjë sponsor. Më vjen keq për Vlorën, Elbasanin, Fierin, që akoma nuk kanë bërë asgjë për futbollin. Janë qytete që kanë dhënë shumë për futbollin, sidomos Flamurtari dhe Elbasani. Sa i takon Lushnjës më vjen keq për tifozët, që gjithmonë kanë dalë të zhgënjyer nga stadiumi, por Lushnja atë që mbolli atë korri.

Në ç’kuptim?

Shikoni, unë ia kam shprehur shqetësimin edhe ish-kryetarit të bashkisë, Fatos Tushe. I kam thënë që Lushnja duhet të bëjë një revolucion, që të paktën ta përballojë sezonin me forcat e veta. Kjo, sepse nuk ka fuqi ekonomike. Gjithmonë ishte ky debat mes nesh, madje kjo u bë shkak që unë përjashtova nga ekipi ata futbollistë që ishin “kapot” e skuadrës… Po të ishte bërë kjo që atëherë, sot do të ishte më ndryshe. Kishim djem të rinj të talentuar që kishin dëshirë të luanin futboll. Pastaj është logjike se kur nuk ke financa, detyrohesh të kthesh kokën nga prodhimi vendës. Më erdhi keq për atë periudhë sepse doja të nisja diçka, por i pari që u hoqa nga puna, isha unë.

Pse?

Sepse gjithmonë politika ka hallet e veta, nuk ka hallet e sportit.

Ju keni luajtur në disa ekipe të Shqipërisë. Ku jeni ndier më mirë ose ku e keni shijuar më shumë?

Te Tirana. Ka qenë familja jonë. Kemi qenë një bashkë me tifozët, bashkë me presidentët, me të gjithë. Tirana dhe sot që flasim (më rrëqethet mishi kur e them), është një familje e madhe dhe nostalgjia ime për të është shumë e madhe sepse me Tiranën kam arritur çdo gjë. Aty kapa dhe ekipin kombëtar, aty kam zhvilluar pjesën më të mirë të karrierës sime. Klubi ka pasur një organizim të paparë dhe një harmoni grupi që vështirë ta gjesh në ndonjë skuadër tjetër./PANORAMA-SPORT/