Fallou Dianje bëhet çështje te Vllaznia në ditën e kualifikimit në finale. Qendërmbrojtësi senegalez nuk figuronte në protokollin zyrtar të ndeshjes, në një kohë që është stërvitur rregullisht në seancën e fundit para Partizanit.

Duke mos e parë lojtarin as në stol, menjëherë i ngritën pikëpyetje për një largim të mundshëm të tij, pasi nuk konfirmohej nga klubi që të mungonte për shkak të ndonjë dëmtimi në stërvitjen e fundit.

Fakt është që trajneri Elvis Plori kishte menduar të hidhte në fushë dyshen Adili-Bulatoviç në qendër të mbrojtjes, duke lënë në stol pikërisht senegalezin.

Duke parë këtë ide të trajnerit në provën që bëri në seancën e fundit, Dianje ka vendosur të braktisë skuadrën.Ai nuk e ka pranuar stolin dhe nuk është paraqitur fare në stadium në ditën e ndeshjes.

Fillimisht Dianje ka lënë grumbullimin me skuadrën, duke nxjerrë justifikime të tjera, që nuk kishin të bënin me lënien në stol.Drejtuesit e Vllaznisë janë vënë menjëherë në lëvizje për ta zgjidhur këtë çështje, por mbrojtësi nuk ka pranuar të ulet në stol dhe kësisoj ka mbetur jashtë ekipit.

Vetë trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori, i pyetur nga “Panorama Sport”, për këtë çështje, shkurtimisht është shprehur:

“Dianje ka pasur disa probleme të vetat dhe më vjen keq që nuk ishte në këtë ndeshje. Megjithatë, unë shpresoj që do të zgjidhet edhe problemi i tij”.

Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që mbrojtësi të prishë kontratën me kuqeblutë, por gjithçka do të qartësohet në ditët e ardhshme.