Teuta luan një sfidë të rëndësishme të dielën ndaj Vllaznisë. Durrsakët kanë rastin të hedhin pas eliminimin nga Kupa dhe të nisin ngjitjen në kampionat, që përkon me largimin nga zona e ftohtë dhe kapjen e vendit të katërt.

Sulmuesi shkodran i Teutës, në një prononcim për “Panorama Sport”, thekson se “djemtë e detit” duhet ta fitojnë këtë sfidë për të arritur objektivat e mbetur. Hebaj është i mërzitur për eliminimin, por thekson se loja e zhvilluar në Laç u jep besim për vazhdimësinë.


Sa ju ka mërzitur eliminimi në Kupë?

Jam i mërzitur sepse nuk fituam, por jam i lumtur për atë që bëmë. Në Laç ekipi tregoi që nuk ka qenë rastësi arritja deri këtu. U eliminuam, por kemi qenë më superiorë në qarkullimin e topit. Humbja e ndeshjes së parë ndikoi, por loja që zhvilluam, më jep besim se Teuta ka një skuadër të fortë dhe do të bëjmë mirë.

Goli juaj nuk mjafton, sa keq ju vjen për këtë?

Unë sulmues jam dhe për të shënuar kam ardhur. Personalisht më gëzon fakti se shënova, por kur nuk vlen për ekipin është gjë jo pozitive. Me kalimin e minutave morëm lojën nën kontroll, por pësuam një gol aksidental, për këtë më vjen keq.

Luani kundër Vllaznisë, si e shikoni këtë takim?

Nga Skënderbeu i vendit të fundit deri te Tirana kryesuese, janë të gjitha ekipe të forta. Nuk ka më kundërshtar të lehtë. Ndaj Vllaznisë do të jetë një ndeshje e fortë, por ne do të kërkojmë maksimumin.

Nuk është hera e parë që luani si kundërshtar ndaj skuadrës së vendlindjes, por si ndiheni kësaj radhe ndaj Vllaznisë?

Jam përballur disa herë ndaj Vllaznisë si kundërshtar. Gjithmonë emocionet janë, sepse luajmë ndaj ekipit ku kam dalë si futbollist. Një ndeshje shumë e vështirë, ndaj edhe emocionet janë më të mëdha.


Edhe tetë javë kampionat, çfarë llogarish po bëni?

Çdo takim duhet ta fitojmë. S’ka llogari! Kemi ndeshje shumë të forta, kalendar të vështirë. Këtë javë luajmë kundër Vllaznisë dhe besoj te fitorja dhe kërkojmë që ta përmbyllim me sukses sezonin.


A është objektivi arritja e vendit të katërt?

Me njëri-tjetrin nuk flasim për këto gjëra, por thellë brenda vetes e dimë që kemi detyra. Do të bëjmë maksimumin të marrim sa më shumë pikë e të shohim në fund për llogaritë.