Ai po shpallet kam pion për të dytën herë me ngjyrat bardheblu. Kapiteni i Tiranës, Erion Hoxhallari, flet për këtë sezon në një intervistë për “Panorama Sport”.

Mbrojtësi tregon se çfarë ka të veçantë trajneri Shehi, cili është kundërshtari që e ka vënë në vështirësi, por edhe shprehet se skuadra ka akoma uri për të fituar.

Kjo diferencë pikësh me vendin e dytë nuk është parë në vitet e fundit në kampionatin shqiptar…

Kjo tregon se kemi qenë një ekip i konsoliduar dhe një ekip që kemi pasur vazhdimësinë. Këtë gjë e tregojnë edhe pikët që kemi marrë gjatë tri fazave të para, kemi marrë çdo fazë nga 20 pikë, e cila është gjë e mirë.

Duke parë forcën e këtij ekipi, ju vjen keq që jeni eliminuar aq shpejt nga Kupa? Ndoshta ky sezon mund të mbyllej edhe me dy trofe?

Për të ardhur keq na vjen, por besoj që pasi u larguam nga Kupa, u fokusuam në maksimum në kampionat dhe bëmë mirë aty, pasi po arrijmë të fitojmë titullin. Na vjen keq, por nga ana tjetër jemi edhe të gëzuar sepse po fitojmë titullin kampion.

Mund ta thotë dikush nga ju që jeni kampion, sepse nuk e thotë askush këtu, ju kurorëzoni për herë të dytë në mos gaboj?

Për mua është hera e dytë që shpallem kampion (qesh). Them shpallemi sepse pikët që kemi marrë aty të drejtojnë, por gjithsesi kjo nuk do të thotë se do ta ndërpresim kampionatin këtu. Ne e vlerësojmë kampionatin deri në fund, siç e treguam edhe në Korçë që fituam. Edhe pse Korçës i duhej patjetër trepikëshi ne nuk nënvlerësuam.

Çfarë ka të veçantë ky sezon në krahasim me atë që keni dalë kampion dy vite më parë?

Te veçantë them që po na shijon më shumë pasi kemi praninë e tifozëve. Herën e fundit kur dolëm kampion, për shkak të pandemisë, stadiumi ka qenë bosh. Po e shijojmë shumë mbështetjen maksimale që na japin tifozët tanë.

Cili ka qenë partneri i mbrojtjes me të cilin jeni ndier më i sigurt dhe jeni kuptuar më mirë?

Të them të vërtetën gjithmonë kur kam luajtur me partner në mbrojtje kanë qenë lojtarë cilësorë si Kristi, Genti, tani aktualisht Najdovski. Janë lojtarë me një nivel shumë të mirë. Jam ndier komod me të gjithë dhe kemi arritur këtu ku jemi.

Ju keni punuar me Ze Marian, Egbonë, Shehin…

Unë i respektoj të gjithë trajnerët. Nga çdo trajner që punon, nga secili mëson. Aktualisht jemi me profesor Gesin dhe është një futbollist që sapo ka lënë futbollin dhe na i kupton më mirë ato hilet e futbollistëve. Është shumë i afrueshëm me lojtarët atje ku duhet, ndërsa në fushën e lojës është shumë kërkues dhe këtë gjë e vlerësojmë shumë.

Ju mbani shiritin e kapitenit. A ndiheni pak në presion për këtë përgjegjësi?

Presion nuk mund ta them sepse futbollistët që kemi aktualisht ma kanë bërë shumë të lehtë këtë përgjegjësi dhe ndihem shumë i privilegjuar që e mbaj atë shirit.

Jeni 26 vjeç, në kulmin e karrierës. A mendoni ose keni dëshirë për t’u transferuar jashtë?

Për momentin kam kontratë deri në fund të sezonit, më pas nëse vjen ofertë për t’u larguar, normalisht edhe presidenti, edhe unë do të flasim dhe do të bëjmë më të mirën. Normalisht që çdo futbollist që luan në Shqipëri, e ka dëshirën për të luajtur jashtë.

Por edhe në Shqipëri ju luani me Tiranën, jeni kapiten, po shpalleni kampion. Nuk është keq…

Keq nuk mund të themi sepse ne kemi parë edhe Skënderbeun që ka arritur grupet e Europës, futbolli sa vjen dhe evoluon, çdo vit që kalon edhe këtu po përmirësohet.

Nga Superiorja jeni i vetmi në Kombëtare. Sa të veçantë ju bën kjo?

Çdo futbollist, përfshi edhe mua, e ka për nder që e vesh atë fanellë, jam shumë i privilegjuar, shpresoj që të thirrem edhe në vazhdimësi dhe të kem minuta.

Kush ka qenë kundërshtari më i vështirë që keni markuar këtë sezon?

Ndoshta Aralica i Shkodrës.

Sa larg mund të shkojë kjo Tiranë, a mund të prekë grupet e Europa Ligës?

Shpresojmë të na bjerë një short i lehtë në fazën e parë dhe më pas të shohim. Nëse kalojmë një raund në Champions League, do të ishte më mirë se do të përfundonim në “play off”-in e Conference League edhe nëse eliminoheshim.

Ndeshja e radhës me Egnatian, a ju mungon disi impenjimi për shkak të diferencës së pikëve apo Tirana ka ende uri?

Pavarësisht diferencës së pikëve, ne e treguam edhe në Korçë se jemi me të njëjtën uri. Edhe stërvitja ka vazhduar me të njëjtin impenjim, shpresojmë të jemi njësoj si në ndeshjet e tjera./PANORAMA-SPORT/