Lajme të këqija për Skënderbeun për pjesën e mbetur të kampionatit.

Sikur të mos mungonte pozicioni i vështirë që kanë në renditje, korçarët humbasin talentin shkodran, Ardit Nikaj, për 8 javët e fundit.

Dëmtimi i pësuar në ndeshjen e fundjavës së kaluar në Korçë ndaj Tiranës ka rezultuar më i rëndë nga sa pritej për 19-vjeçarin.

Nikaj la fushën e lojës me barelë duke mos mundur të vijojë pjesën e mbetur të takimit.

Pas ekzaminimeve të kryera, dje lojtarit i është bërë me dije se ka këputje të ligamentit kroçiat të gjurit e për pasojë do t’i nënshtrohet operacionit.

Momentalisht sulmuesi ndodhet në Shkodër pranë familjes ku do të qëndrojë disa ditë pushimi për të qetësuar traumën e ligamentit pas goditjes së marrë në fushë.

Më pas pritet që t’i nënshtrohet ndërhyrjes në një prej klinikave private në kryeqytet.

Pas operacionit Nikajt do t’i duhen të paktën tre muaj kohë për rikuperim, çka do të thotë mbyllje e sezonit para kohe.

Sulmuesi ka një kontratë aktive me Skënderbeun edhe për dy sezone të tjera, ndaj pritet që të rikthehet pranë ekipit vetëm në fazën përgatitore verore.

Deri atëherë lojtari do të qëndrojë në vendlindje për të kryer terapitë e fazës së rikuperimit.