Zhoze Murinjo është plotësisht i bindur se skuadrës së tij po i hahet haku nga gjyqtarët në këtë sezon dhe po penalizohet për t’u bërë favore ekipeve që janë më lart në renditjen e Serisë A. Pas barazimit 1-1 ndaj Napolit, tekniku portugez nuk është përmbajtur në kritikat e tij për gjyqtarin e sfidës.

“Nuk mendoja se do të bëja rezultat këtu, jo sepse skuadra nuk ka luajtur mirë, por pasi ndjeja se ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që të siguronim një rezultat pozitiv. Nga fusha me raste dukej sikur ishim në Everest…

Kemi siguruar rezultatin në një mënyrë fantastike. Ka skuadra që luajnë për të fituar titullin kampion, ne jo, por kemi të drejtë të luajmë për fitoret.

Sot më dukej se jo, që nuk e kishim këtë të drejtë. Kam lexuar sot në gazeta që gara për titull do të vendoset nga gabimet ndaj ekipeve që janë në garë, por vendosen edhe nëse gabohet në favor të tyre dhe sot për ne dukej e pamundur ta fitonim këtë ndeshje. Zoti Di Paolo, për të mos thënë për Di Bello, në disa momente të ndeshjes më bënë që të kisha turp që isha aty.

Për çfarë e kam fjalën? Ishte një i kuq për Zanoli, nuk dha një penallti për Zaniolon dhe pastaj shumë të tjera. Boll më! Duam pak respekt për tifozët tanë që janë në shtëpi. Dua edhe unë të kem të drejtën që të luaj shanset e mia”, tha Murinjo i inatosur pas ndeshjes me Napolin që u mbyll në barazimin 1-1.