Veleçiku mori një fitore në javën e fundit të Kategorisë së Dytë kundër Orikut në shifrat 2-0. Por një rezultat i pamjaftueshëm për ti kaluar në renditje në garën për një vend në Kategorinë e Parë sezonin tjetër. Trajneri i koplikasve, Haris Lika foli së fundmi për këtë takim, ku patjetër në komentet e tij nuk harroi as Vllazninë.

Lika tha: “Fitorja gjithmonë të kënaq, por kësaj here për ekipin tonë nevojitej edhe një gol. Ishte një sukses 2-0, shumë i merituar, por e them me bindje të plotë se duhej të shënonim 4-5 gola. Ishte një arbitër anonim që e prishi lojën tonë. Kjo pasi që në fillim kërkoi forcat speciale “Shqiponja” që të niste takimin. Ndërkohë siguria në Koplik ishte në maksimum, nga ana e policëve bashkiakë apo sigurimit privat.

Që aty u kuptua se arbitri kishte ardhur me mision të qartë. Ndonjëherë qesh me ankesat e trajnerëve të Superligës për arbitrat, duke parë se çfarë ndodh në kategoritë e ulëta. Megjithatë ne nuk i humbim shpresat për Kategorinë e Parë si me anë të Play Off apo edhe ngjitjes direkte.

Vllaznia? Skuadra ka dy tablo, ku duket se fokusi ka shkuar nga kupa. E pamë edhe kundër Partizanit që karikimi i futbollistëve ishte në maksimum. Në kampionat duket se kanë kohë që nuk fitojnë, por edhe gabimet e kundërshtarëve kanë bërë që ata të mos shkëputen shumë. Besoj se Vllaznia do e mbyllë sezonin me sukses në fundin e tij”.
Endri ÇINARI