Gjithmonë është thënë se Vllaznia është skuadra që përfaqëson gjithë Veriun e Shqipërisë. Si rrjedhojë, thuajse në të gjithë këto zona, ka shumë tifozë të saj. Ka qenë prej kohësh një fakt i tillë dhe gjëja më pozitive është se kjo traditë është përçuar edhe tek pasardhësit e tyre.

Sot do të ndalemi tek një rast i tillë. Bëhet fjalë për një tifoze të zjarrtë të Vllaznisë, me origjinë nga Puka, e lindur në Lushnjë dhe që jeton prej gati 20 vitesh në Francë, megjithatë emri që ajo ka shumë për zemër është “VLLAZNIA”. E kemi fjalën për Frensis Nikolla.

Një vajzë që është liçensuar si menaxhere futbolli në vendin ku ajo jeton, por që drejton aktualisht edhe zyrën e shtypit të një klubi futbolli në Francë. Atë e shohim shpesh edhe në stadiumet shqiptare ku luan Vllaznia, ka ardhur shpesh edhe në “Loro Boriçi”. Sepse vjen enkas për ta parë atë. Këtë gjë na e rrëfen vetë Frensis në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetën “Shkodra Sport”, të cilën mund ta lexoni më poshtë:


– Frensis, çfarë është ky pasion për të mbështetur Vllazninë? Si ju ka lindur kjo dëshirë?

Që e vogël bashkë me babin shikoja futboll dhe tërhiqesha prej tij. Ndërsa me Vllazninë jam lidhur në fillim nga emri i madh i saj për të cilin dëgjoja të flitej në familje, e me kalimin e viteve u lidha edhe me futbollin që luhej nga ky ekip, që sot është “ekipi i zemres”.


– Kush është Frensis Nikolla? Ku ka linudr, cila është origjina e saj dhe lidhja që ka me këtë emër?

Frensis Nikolla, është me origjinë nga Puka, e lindur në Lushnjë (për shkak sepse babai ishte i transferuar me punë atje) dhe ka rreth 20 vite që jeton në Marseille dhe fanse e Olympique de Marseille pa tradhëtuar asnjëherë Vllazninë e zemrës (Hahahaha). Emrin e kam nga babi, si fëmijë i parë dhe një ndërthurje e emrit të babit me timin.


– Ju kemi parë herëpashere edhe në stadium për të mbështetur Vllazninë. Kaq tifoze e zjarrtë jeni?

Është minimumi që mund të bëj. Çdo rikthim në vendlindje është njëkohësisht rikthim në stadium. Biles përpiqem që udhëtimet për në Shqipëri t’i kordinoj me ndonjë ndeshje të Vllaznisë.


– Cili është mendimi juaj për skuadrën e këtij sezoni? Ku gaboi që nuk arriti objektivin titull kampion?

Të kritikosh ekipin e zemrës është e vështirë, megjithatë mendoj se nuk është një tragjedi gjendja që po kalon ekipi, sepse sapo u rikthye në vendin që i takon në superiore, fitoi kupëen, udhëhoqi kampionatin dhe ishin edhe konjukturat që ia mohuan titullin, mori pjesë më pas edhe në Kupat e Europës.

Pra prezantimi ishte dinjitoz. Këtë vit ndoshta u ushtru më shumë presion tek lojtarët e stafi dhe gjërat nuk rrodhën ashtu si duhej. Duhet t’i jepej kohë ekipit mendoj unë sepse projektet janë afatgjata. Plus mesa shikoj, Vllazninë po e dëmtojnë me ose pa dashje edhe arbitrat.


– Cili është lojtari që ju pëlqen më shumë tek skuadra shkodrane?

Në jetë nuk vlerësoj individin. As në futboll. Unë vlerësoj punën në ekip, sepse çdo lojtar ka luhatje gjatë sezonit, e ajo që llogaritet e vlerësohet është loja e ekipit. Kështu që unë vlerësoj Vllazninë.


– Cila është e veçanta e Vllaznisë në krahasim me skuadra e tjera të kampionatit shqiptar?

E para është ajo që Vllazninë dhe Shkodrën i bën të veçanta, është “bollëku” i talenteve me të cilët furnizon kampionatin shqiptar. Aftësia që ka si ekip me u ringrit edhe mbas disfatave, por edhe padrejtësive që i bëhen (e besoj këtë kampionat kemi parë mjaftueshëm të tilla).


– Me se merret Frensis?

Jam liçensuar nga Federata Franceze e Futbollit si menaxhere futbolli. Aktualisht drejtoj zyrën e shtypit te një ekipi në Marseille, në kategorinë e tretë dhe njëkohësisht punoj me një grup kolegësh në lidhje me transferta të ndryshme.


– Mund të jetë një menaxhere edhe për Vllazninë, për t’i sjellë asaj lojtarët e duhur?

Në fakt nuk më mungon dëshira që të jem pranëe ekipit të Vllaznisë, e kështu mund të njoh më nga afër nevojat e ekipit, politikat e stafit e mundësitë për merkato.


– A kanë gabuar drejtuesit në lojtarët që kanë ofruar këtë sezon?

Unë mendoj se janë bërë gabime, qoftë në ndjekjen e lojtarëve, duhej të ishin më deçiziv, më të vendosur, qoftë edhe në zgjedhje të lojtarëve që i përshtaten lojës së Vllaznisë. Për shembull mund të them se për mendimin tim tek Vllaznia mungon elementi shpejtësi në kundërsulm.


-Cila është gjëja që të bën më tepër përshtypje në futbollin shqiptar?

Gabime ndodhin në çdo kampionat, por në kampionatin shqiptar, këto gabime me pasoja shpeshherë, nuk dënohen dhe kështu fitojnë terren e bëhen gati të zakonshme.


-Në familjen tuaj ka të tjerë që bëjnë tifo për Vllazninë apo vetëm ti?

Ne si familje jemi të gjithë mbështetës të Vllaznisë (përjashto motrën time të vogël që është tifoze e Partizanit. Megjithatë jemi tolerant me të (Hahahaha).


-Nëse një ditë Vllaznia shpallet kampione, cila është çmenduria më e madhe që do kishe bërë?

Jemi optimistë dhe Vllaznia do rikthehet aty ku i takon. Dhe atë ditë kur ajo do të shpallet kampion, jap fjalën se do jem aty të festoj me ekipin tim të zemrës.
Intervistoi: Gjergj KOLA