Trajneri i Kukësit, Diego Longo, doli në konferencën për shtyp në krah të drejtorit Pero Pejiç, në prag të sfidës ndaj Laçit, që do të jetë tepër special për verilindorët, të cilët do të kthehen pas shumë sezonesh në shtëpi. Tekniki italian nuk e fshehu entuziazmin për këtë fakt interesant, ku në prononcimin për mediat, nga ambientet e “Kukës Arena”, ndër të tjera u shpreh:

“Ne, të gjithë, jemi shumë të lumtur që më në fund jemi në shtëpi. Ne dhe i gjithë qyteti e kemi pritur shumë këtë moment të veçantë. Do të thyejmë limitet tona në këto ndeshje që kanë mbetur për t’u dhuruar kënaqësi tifozëve, këtij qyteti. Mund ta ndiejmë nga sytë e njerëzve që ka shumë entuziazëm, kështu që kemi edhe përgjegjësi. Në dy ndeshjet e fundit kemi luajtur në një fushë që do ta konsideroja më shumë si vend parkimi, në Kamzë, kështu që duhet të bëjmë më të mirën për të fituar në këtë stadium të madh.

E dimë që do të kemi mbështetjen e madhe të tifozëve, që do të na shtyjnë për të fituar, kështu që presioni nuk është mbi ne, por mbi kundërshtarët tanë. Gjendja e skuadrës është shumë e mirë, mentaliteti, dëshira, madje stërvitjen e mëngjesit e ndala më herët për shkat të ritmit të lartë. Mezi po e presim ndeshjen. Është shumë e rëndësishme për renditjen, për objektivat tanë, por edhe për mënyrën se si na trajtuan në ndeshje e fundit atje. Do t’ua kthejmë atë që na dhanë.”

Të gjithë e ndiejmë presionin, unë i pari. Nuk kam ardhur këtu për turizëm, Europa ishte objektivi ynë që në fillim dhe jam i sigurt që do ta arrijmë. Duhet të jemi të bashkuar deri në fund.

Shkurtaj? Nuk mund të flas për futbollistë që prej dy muajsh nuk janë me skuadrën. Kur fola për herë të fundit ishte në Greqi, ku por trajtohet për problemin që ka nga doktorë shumë të mire”, deklaroi Longo.